Bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ramiz Lladrovci, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka fituar zgjedhjet për kryetar të ri të komunës së Drenasit. Lladrovci ishte në garë balotazhi me konkurrentin e tij nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajlaj.

Të dhënat preliminare i ka bërë të ditura kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila ka thënë se në zgjedhjet për kryetar të Drenasit, kanë votuar 44. 32 për qind nga numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote.

“Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Ramiz Lladrovci ka 14 mijë e 242 vota apo 62. 69 për qind të votave. Partia Nisma për Kosovën me kandidatin Isa Xhemajlaj ka 8 mijë e 476 vota apo 37.31 për qind. Duhet të theksojmë se në rezultatt preliminare nuk janë përfshirë edhe votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta”,

ka theksuar Daka.

Ajo ka shtuar se rezultatet përfundimtare të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve do të bëhen të ditura pas procesit të shqyrtimit dhe verifikimit të materialit zgjedhor dhe numërimit të votave me kusht./REL