Kush kërkon që të marrë një kredi në monedhën euro, interesi për të do të jetë më i lartë që nga muaji qershor. Banka e Shqipërisë nisi zbatimin konkret të paketës së deeurizimit.  Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori i bankës qendrore deklaroi se janë marrë një sërë vendimesh rregullative të cilat do të pengojnë bankat që të japin kredi në euro për individët që nuk kanë të ardhura në këtë monedhë.

 “Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë”.

Kreu i Bankës së Shqipërisë sqaroi se qëllimi nuk është që të përdorimi i valutave të bëhet zero, por të ulet rreziku që mund të shkaktojë kursi i këmbimit te individët dhe bizneset.

 “Dëshiroj ta qartësoj publikun se Banka e Shqipërisë nuk synon uljen në zero të përdorimit të valutave në veprimtarinë financiare, por uljen e euroizimit në nivele të pranueshme për ekonomi me strukturë dhe madhësi të ngjashme. Ajo që ne duam të reduktojmë, të zbutim apo të minimizojmë, është prania e pozicioneve të hapura valutore dhe marrja përsipër e rrezikut të kursit të këmbimit, direkt apo indirekt, në mënyrë të pastudiuar apo të pambrojtur, nga konsumatori, nga biznesi dhe nga agjentët e tregut financiar.”

Sipas bankës  Qendrore një nga shkaqet pse Shqipëria ka një inflacion të ulët, është mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit, duke reduktuar inflacionin e importuar nga jashtë. Një studim i FMN-së mbi efektet që ka në vendin tonë përdorimi i monedhës euro, nxori se Shqipëria humb çdo vit 45 milion euro pikërisht nga kjo dukuri. 35% e parave në qarkullim në territorin tonë janë euro.

Tv Klan