Prej 48 orësh thuajse në gjithë vendin janë përforcuar masat e sigurisë. Nisur nga sulmet e fundit terroriste në disa vende të Evropës, Policia e Shtetit, rrit nivelin e sigurisë, veçanërisht pranë institucioneve të kultit, ku besimtarët ortodoksë dhe katolikë festojnë “Pashkën”.

Shërbime patrulluese me uniformë dhe agjentë krimesh civilë do të jenë në terren, deri në mbyllje të kremtimeve. Ato nisën me të premten e zezë, që simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq, në Katedralen Orthodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. 

E gjithë ceremonia dhe parakalimi i tradicional i Epitafit u shoqërua nga masa të larta sigurie, jo vetëm pranë mijëra besimtarëve, por edhe në tarracat e ndërtesave përreth Katedrales.

I njëjti nivel sigurie është vënë edhe në Katedralen e Shën Palit, ku në mbrëmje mbahet mesha e shenjtë, ceremonia e ringjalljes së Krishtit.

Përveç objekteve të kultit, ku pritët të ketë grumbullim të madh njerëzish, masat janë përforcuar edhe në pikat e kalimit kufitar për ushtrimin e kontrolleve të rrepta ndaj personave me rrezikshmëri shoqërore. Patrullat janë shtuar edhe në akset kombëtare dhe qytetase.

Tv Klan