Zemria vjen në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, moderuar nga Ardit Gjebrea, sepse ka një mesazh për vajzën e saj, Linditën.

Zemrie Neziri nga Burreli tregon se familja e saj, të përbërë nga gjashtë persona, katër fëmijët dhe dy prindërit. Vajza e saj e madhe, Lindita ka qenë gjithmonë një nxënëse e mirë dhe ndihmonte familjen, kur u detyruan të punonin si shitës ambulantë.

Në vitin e fundit të gjimnazit, Lindita i thotë të ëmës që dëshironte të vazhdonte shkollën e lartë jashtë vendit, edhe pse kushtet e tyre ekonomike nuk ishin të mjaftueshme. Zemria rrëfen se nuk ishte dakord që e bija të largohej, por pas aplikimit ajo u pranua të vazhdonte studimet në Moskë.

Më datë 4 Nëntor Lindita u largua, duke lënë pas trishtim në familje. Ajo filloi dhe punë për të siguruar të ardhura, vetëm e vetëm që të mos shqetësonte familjen.

Lindita këmbënguli shumë që të merrte dhe të motrën, Anitën, në Moskë për të studiuar, por Zemria i frikësohej klimës së ftohtë dhe ushqimit. Anita ishte gjithmonë nën përkujdesjen e Linditës, e cila punonte për t’i mundësuar gjithçka të motrës. Lindita qëndroi për rreth 7 vite në Rusi dhe u rikthye në Shqipëri për t’u paragjykuar nga njerëzit se edhe pse studioi jashtë vendit, ende nuk ishte e punësuar.

Por pas pak kohësh Lindita mundi të punësohej në Ministrinë e Jashtme dhe të shpërngulej e vetme në Tiranë.

“Gjithmonë nuk e kam trajtuar si fëmijë të vogël, e kam trajtuar si të madhe, sikur ta kisha moshatare. Vetë i merrte përsipër detyrat, por unë asnjëherë … sepse ishin të tre të tjerët të vegjël dhe mendoja që kjo kërkon shumë, po këta?”

Lindita pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion “E Diela Shqiptare”. Ajo rrëfen rreth arsyes së largimit të saj drejt Rusisë dhe rikthimit në Shqipëri.

E gjendur para imazhit të nënës së saj në ekran, Lindita shtanget dhe pohon se nuk e priste sepse faktikisht duhet të ishte ajo që duhet t’i bënte surprizë prindërve të saj.

Zemria – Mami të kërkon ndjesë! E di që nuk i ke qejf këto surpriza dhe daljet. Por s’mund të rrija, shumë herë dhe në shtëpi kam dashur të ta them dhe ti më ke thënë që cc’është e kaluar është e kaluar. Ti je një motër shembullore për dy motrat e tua dhe vëllain tënd. Ti ke qenë një mbështetje e madhe edhe për ne, prindërit. Ne të falenderojmë shumë! Por të kërkoj edhe falje, të kam mërzitur.

Lindita –

Asnjëherë, mami.  Nuk ke pse të kërkosh falje. Unë nuk gjej prindër më të mirë. Unë kam lindur në një krahinë … iu jam mirënjohëse prindërve të mi se unë jam rritur e lirë dhe me dashuri, pavarësisht ekonomisë dhe vështirësive.

Unë u thoja që dua të iki, kurrë nuk më kanë penguar. Pastaj rrezikova, të vijë dhe Nita, të studiojë, të jemi bashkë, do të mbështesim njëra – tjetrën, do t’ia dalim sido që të jetë. Ata përsëri kanë patur besim. Studimi në Moskë është një nga periudhat më të bukura të jetës sime, pavarësisht se kam studiuar e punuar. Është gjë e zakonshme kur je studente, por mami i përjeton pak më shumë se është prind e ne ishim larg.

Kështu që mami s’ka pse të ndihet në faj. Ne aty ia kemi kaluar mirë. Nuk ka punë pa lodhje, por kur e shikon që po e arrin qëllimin, nuk e ndien lodhjen. Unë nuk gjej fjalë ndoshta për t’u thënë prindërve të mi për sakrificat që kanë bërë. Mami nuk duhet të ketë asnjë ndjenjë faji sepse unë jam shumë e lumtur këtu ku jam.

Lindita përqafon të ëmën, duke na treguar se një prind që ndihet krenar për fëmijën e tij është një shembull frymëzimi për të gjithë./

tvklan.al