Burbuqe Bica tregon në emisionin “STOP” historinë e saj të dhimbshme, që zuri fill në Mars të vitit 2017. Vajza e tyre 15 – vjeçare u dogj, ndërsa përpiqej të ndizte zjarrin në shtëpi. Që nga ajo kohë ajo ka kryer 8 ndërhyrje, por situata vijon të mbetet e rëndë për të. Burbuqja dhe Elida kërkojnë ndihmë për ndërhyrje të specializuar jashtë shtetit.

“I drejtohem emisionit ‘STOP’ për vajzën, që e kam të djegur prej 7 muajsh. Si në zonat e fshatit, e ndezim sobën me benzinë. Iu ndez bidoni 5 litërsh në dorë dhe për të mbrojtur shtëpinë, e mori benzinën e ndezur dhe doli në korridorin e shtëpisë. Aty i rrëshqiti këmba dhe u lye me benzinë. Nga brezi e poshtë vajza është e djegur prej 7 muajsh, grada e tretë ose e katërt.

Kërkojmë një ndihmë më të specializuar se këtu nuk është e mundur!”

Pas 8 ndërhyrjesh, Burbuqja bën apel për ndihmë, pasi Elida ka nevojë për mjekim të vazhdueshëm nën efektin e narkozës, gjë që ndikon negativisht te ajo, duke qenë se është e vogël.

Ajo shton se prej një muaji janë nisur procedurat në Ministrinë e Shëndetësisë për transferimin e Elidës në Ankara, por nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje.  E bija ka hemorragji të vazhdueshme, ndaj nuk mund të presë gjatë për të kryer një ndërhyrje të specializuar.

“Kam 7 muaj e djegur, që qëndroj këtu. Jam djegur në 60% të trupit dhe i drejtohem kryeministrit Edi Rama. I lutem shumë që të më ndihmojë, të më nxjerrë jashtë shtetit se këtu nuk kanë më mundësi se çfarë të më bëjnë. Deri këtu që kanë arritur, i falenderoj shumë të gjithë mjekët dhe ju lutem shumë të më ndihmoni!”,

 shprehet Elida.

Emisioni “STOP” vijon me solidaritetin për familjet në nevojë. Enkeleda Hoxha nga Lushnja kishte kërkuar një krevat ortopedik për djalin e saj paraplegjik dhe emisioni “STOP” ia mundësoi atë. Një tjetër krevat iu dhurua Melina Shehut në Bërzhitë, për vajzën e saj, që u rrëzua ndërsa mblidhte bimë medicinale./ 

tvklan.al