Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba thotë se për aplikimin e teknologjisë në procesin zgjedhor nevojitet rreth 2 vjet kohë.

Këto deklarata kryetari i KQZ-së i bëri në përfundim të nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi me Shoqatën Botërore të Organeve Zgjedhore, që do të ndihmojë lidhur me studimin e fizibilitetit në këtë projekt.

Shoqata Botërore e Organeve Zgjedhore do të ndihmojë KQZ-në shqiptare në studimin e fizibilitetit për aplikimin e teknologjisë, arsye për të cilën firmosën edhe një Memorandum Mirëkuptimi.

Pas kësaj ceremonie, Denar Biba, që drejton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shpjegoi përse autoriteteve shqiptare i nevojitet kjo ndihmë.

Aplikimi i elektronikës në zgjedhje është një prej kërkesave kryesore të opozitës. Për ta realizuar atë, demokratët kanë hedhur idenë e shtyrjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit.

Por kryetari i KQZ mendon se koha e nevojshme nuk është çështje muajsh, por vitesh. Denar Biba vuri gjithashtu në dukje se çdo veprimtari për aplikimin e teknologjisë nënkupton kosto monetare, ndërkohë që në buxhetin e vitit 2017 për KQZ-në nuk është parashikuar asgjë e tillë./tvklan.al