osheeEdhe pse nuk e ka paraqitur ende kërkesën e saj zyrtare pranë Entit Regullator të Energjisë, Operatori i Shpërndarjes mbështet ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike.

Në një intervistë për të përditshmen Panorama, Kreu i OSHEE Arben Seferaj, është dakord me propozimin e bërë nga Ministria e Financave për heqjen e fashës 300 kWh, duke e cilësuar si një ndërhyrje në interes të qytetarëve.

Arben Seferaj – Drejtori i OSHEE: “Jemi në përfundim të studimit dhe paraqitjes në ERE të aplikimit. Komapnia tashmë do të jetë një ent publik dhe si i tillë është në interes të të gjithë popullsisë, të harmonizohen interesat e qytetarëve, por edhe ato të kompanisë. Megjithatë dua të theksoj se ne mbështesim heqjen e fashës së 300 kilovatëve, por kjo është ende një çështje e hapur dhe nuk ka një vendim final, ndaj gjithçka që thuhet momentalisht është veçse një spekulim apo hamëndje.”

Lidhur me dorëzimin e kërkesë pranë ERE, për ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike, Seferaj thotë se aplikimi do të bëhet brenda pak ditësh. Sa i përket humbjeve në rrjetin e shpërndarjes që arrijnë në 42% Seferaj shprehet se muaji shtator ishte më i suksesshmi, pasi në total u arrit një nivel humbjesh prej 31.7% , ose 3.4% më i ulët sesa i një viti më parë.

Duke hequr çmimin e ulët në 300 kilovatët e parë të energjisë së konsumuar, fatura e energjisë për shqiptarët me të ardhura të pakta do të bëhet më e shtrenjtë.

Nëse sot çmimi i energjisë elektrike llogaritet në dy vlera, 300 kilovatët e parë tarifohen me 7.7 lekë dhe mbi këtë kufi çmimi është 13.5 lekë pa përfshirë TVSH-në. Ministri i Financave foli për një çmim mesatar por ende nuk dihet sa do të jetë çmimi nëse hiqet fasha e çmimit nën 300 kWh.

Institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ishin të parat që kanë kërkuar rritjen e çmimit të energjisë, si masë e domosdoshme për të shmangur falimentimin e sektorit energjitik.

Deri tani, vetëm Operatori i Sistemit të Trasmetimit ka paraqitur kërkesë zyrtare pranë ERE, ku ka kërkuar një rritje me 10% të tarifës së transmetimit të energjisë, ndërsa priten aplikimet nga OSHEE dhe KESH.

Disa shoqata biznesi në Shqipëri, vendase dhe të huaja, paralajmërojnë se rritja e çmimit të energjisë do të rëndojë si konsumatorët familjarë ashtu edhe bizneset.

Tv Klan