Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana ka njoftuar tërheqjen nga lista e Partisë Demokratike si kandidat për deputet në qarkun e Dibrës. Në një reagim në rrjetet sociale, Gjana shprehet se nuk e pranon renditjen e emrit të tij në vendin e katërt të kësaj liste.

“Këtë vendim e mora pasi të shtunën zhvilluam një mbledhje të kryesisë të PLL, pas shumë konsultimesh me miq e dashamirës të mi dhe të Legalitetit, por edhe pas një reflektimi të thellë mbi realitetin e ri që krijoi marrëveshja Basha-Rama dhe perspektiva e maxhorancës dhe opozitës së ardhshme”.

Gjana shpreh bindjen se pluralizmi politik në Shqipëri është në rrezik dhe se

“vlerat dhe kauzat e përqafuara dhe mishëruara prej dekadash nga PLL nuk mund të jenë objekt pazaresh meskine e të cilat nuk lejoj që të nëpërkëmben prej askujt, më përforcojnë qëndrimin tim se as Legaliteti dhe as unë nuk mund të shërbejmë si garniturë apo fasadë”.

Më tej në reagimin e tij, kreu i PPL e konsideron renditjen në pozicionin e katërt të listës së PD në Qarkun e Dibres, jo vetëm të padenjë dhe fyese për të personalisht dhe PLL, por sipas tij është edhe një tregues i qartë se PD nuk e dëshiron prezencën e PLL në Parlament, as zërin e shtresave që kjo parti përfaqëson dhe si rrjedhojë as edhe bashkëpunimin me ta./tvklan.al