Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e kësaj të hëne në fshatin Grykë Zezë të Lezhës. Babë e bir u ekzekutuan me armë zjarri në shtëpinë e tyre nga ish-dhëndri. Gazetarja Vera Deda raporton se viktimat janë Pjetër Perjaku dhe Gent Perjaku. Ndërsa autor i dyshuar i ngjarjes është Besnik Pjetri.

Burime zyrtare të policisë thonë se shkak për ngjarjen e rëndë është bërë një konflikti familjar, i nisur pas divorcit mes çiftit. Pas krimit të dyfishtë Besnik Pjetri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia po punon për kapjen e tij.

“Rreth orës 23:00, në fshatin Grykë Zezë në Lezhë, ka ndodhur një krim në familje, ku dyshohet që shtetasi B.P., ka vrarë me armë zjarri shtetasit P.P. dhe G.P. ( babë e bir), tek banesa e tyre, për shkak të një konflikti familjar. Autori i dyshuar ka qenë pjesë e asaj familje, ish dhëndër i tyre dhe konflikti dyshohet se ka ardhur pas divorcit mes çiftit. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit B.P. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon punën hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Lezhës në një njoftim për mediat.

Viktimat mësohet se kishin pak kohë që ishin kthyer nga Italia./tvklan.al