Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në Gjykatë dosjen për vrasjen në familjen Metallari që ndodhi tre ditë më parë në lagjen Nr.3 të Bathores në Kamëz. Sipas dosjes së prokurorisë, sherri në familje ndodhi për një karrocë me llaç që u derdh në oborrin e banesës së tyre për punimet që po kryenin.

Gjatë marrjes në pyetje, Mirald Metallari shpjegoi të gjithë dinamikën e krimit në familje, ku mbeti i vdekur babai i tij polic dhe u plagos mamaja.

Konkretisht, më datë 24.07.2017 rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin  (Miftarin) për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Miraldi ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë dy motrat e tij, të cilat kanë dal jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit . Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dalë me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndalojë dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja.

Nëna e tij  ka dashur përsëri ta ndalojë, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarri në drejtim të saj në një distancë prej tre metrash. Ndërkohë, i ati ishte duke ardhur në drejtim të Miraldit, ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës. Më pas Miraldi thekson se ka shkuar te e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë,  e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital. Me vete ka patur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë, kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali  e ka ndaluar një patrullë policie, dhe e ka shoqëruar atë në mjetin e policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës Tiranë. Në deklarimin e tij ky shtetas thekson se armën ua ka dorëzuar vet punonjësve të policisë. Në shpjegimet e tij ky person sqaron se nuk ka patur konflikte të mëparshme me të atin . 

Prokuroria e akuzon Mirald Metallarin për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Organi i akuzës kërkon masën e sigurisë arrest me burg ndaj tij.

/tvklan.al