Kriza e emigrantëve që ka prekur më së shumti Italinë ka prodhur konfliktin e radhës.

Këtë herë jo me vendet e Bashkimit Europian, të cilat i lanë të gjithë barrën Italisë fqinje, por me një nga burimet kryesore të emigrantëve, Libinë.

Një ditë pasi parlamenti italian aprovoi planin për të dërguar anije pranë ujërave libiane, me qëllim ndalimin e emigrantëve nga vendet e lindjes, Libia është përgjigjur me kërcënim.

Kreu i Ushtrisë Kombëtare libiane tha se do t’i përgjigjen çdo anije italiane që do t’i afrohet ujërave territoriale të vendit, pa lejen e tyre.

Urdhri i Ushtrisë për të bllokuar vendosjen e anijeve italiane ka shkuar në katër bazat detare të Libisë.

Megjithë paralajmërimet, Ushtria Libiane nuk specifikoi nëse do të përdoret forcë ushtarake kundër anijeve italiane.

Sipas planit të aprovuar nga parlamenti, dy anije italiane pritet të nisën, në atë që qeveria e quajti operacion për të ndihmuar rojen bregdetare libiane.

Më shumë se 94 mijë emigrantë kanë kaluar nga Mesdheu në Itali përgjatë këtij viti. Më shumë se 2300 kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur në shtetin fqinj.

Tv Klan