Mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur të përmbyllin një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në vend. Negociatat e zhvilluara gjatë ditës nuk prodhuan dakordësi për disa nga çështjet që palët pranuan të rinegocionin, pas takimeve që zhvilluan me Zv/ndihmës sekretarin amerikan Hoyt Brian Yee.

Opozita i dorëzoi të dërguarit amerikan propozimet e saj rreth mesditës, bazuar në paketën McAllister, ndërsa u njoh rreth orës 19:00 të mbrëmjes me përgjigjen e Kryeministrit Rama.

Qëndrimet e kreut të qeverisë, Lulzim Basha ua bëri të ditura aleatëve në një takim në orët e mbrëmjes në selinë e Partisë Demokratike. Jo zyrtarisht mësohet se Partia Demokratike ka pranuar të shkojë në zgjedhje me Kryeministër Edi Ramën, por duke patur 4 ministri dhe postin e Zv/kryeministrit, sipas propozimit shtesë të bërë nga kreu i qeverisë.

Po ashtu, opozita mësohet se ka pranuar të votojë pa asnjë kusht komisionet e Vetting -ut, ndërsa ka kërkuar shtyrje të datës së zgjedhjeve në periudhën Shtator – Tetor, për të patur kohën e nevojshme të krijimit të garancive për procesin elektoral. Në propozimet e Partisë Demokratike përfshihet edhe identifikimi biometrik i zgjedhësve, kërkesë që nuk kundërshtohet nga mazhoranca.

Lidhur me negociatat nga qeveria nuk ka patur një komunikim zyrtar, por ajo që mësohet është se në këmbim të paketës McAllister, Kryeministri ka propozuar dy ministra pa portofol për opozitën ndërsa e quan të panegociueshme datën e zgjedhjeve dhe çështjen e Vetting -ut.

Pranimi i opozitës për të votuar pa asnjë kusht Vetting -un kanë lënë të hapur për diskutim dy çështje që mbajnë peng konsensusin, datën e zgjedhjeve dhe ndryshimet në qeveri.

Tv Klan