Autoritetet doganore në Greqi padyshim që në 2017-n kanë pasur një vit ‘frytdhënës’, që nga produktet e duhanit, duke konfiskuar plot 154 milionë cigare kontrabandë… Por gjatë vitit që lamë pas nuk mungojnë “çuditë”, që përfshijnë konfiskimin e krokodilëve, ngjalave, vezëve të peshkut e deri tek një Kuran i shekullit të 18-të.

Sipas statistikave zyrtare të përcjella nga e përditshmja

Kathimerini,

zyrtarët e doganës kanë hasur një numër të madh sendesh të pazakonta gjatë inspektimeve të tyre, përfshirë 400 kilogramë ngjala europiane, të cilat u gjetën në një magazinë të kompanisë Koropi, në lindje të Attica, ndërkohë që punonjësit e Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës kapën edhe 160 kilogramë të tjera të së njëjtës specie.

Ndërsa punonjësit e doganës në Rhodes konfiskuan 5 krokodilë, të llojit kaimans. Ato u gjetën në një kontejner druri që vinte nga Holanda. Oficerët e Kipoi interceptuan 25 kilogramë vezë peshku që ishin nisur për në Turqi.

Autoritetet helene zbuluan gjithashtu 580 diamante dhe 58 pjesë të tjera bizhuterish të çmuara që një pasagjer kishte futur kontrabandë nga Turqia. Oficerët në Kakavijë gjetën një Kuran me shkrim dore që i përkiste shekullit të 18 ose 19, që shkelte rregullat e mbrojtjes së sendeve antike. Libri i shenjtë u gjet në bagazhet e një shqiptari.

Në mesin e sendeve të gjetura nga zyrtarët grekë bëjnë pjesë edhe konfiskimi i 119,520 enë kuzhine dhe 109,200 të brendshmeve kontrabandë, të kapura në Pire. Zyrtarët e aeroportit të Athinës gjetën 54,300 tableta me steroide të ndaluara, ndërsa në Selanik u konfiskuan plot 573,820 lodra.

Rritja e taksave për sendet e veçanta të konsumit ka bërë që edhe kafeja të futet kontrabandë. Vitin e shkuar oficerët e Serres konfiskuan 2.31 ton. Në Kipoi u sekuestruan 37 fishekë dhe një karikator. Në Kakavijë u interceptuan 1.15 ton kanabis në një kamion që udhëtonte nga Shqipëria në Greqi. 61,000 litra verë u kapën në Kyllini, ndërsa në Pire u kapën 8,490 litra raki dhe 13,440 verë.

Sa u përket parave të pa deklaruara, zyrtarët grekë konfiskuan 8.2 milionë euro dhe vendosën gjoba prej 2.8 milionë eurosh.

/tvklan.al