Kruja tradicionale “zbret” në Pazarin e Ri të Tiranës

Veliaj: Projekti i Pazarit të Ri ndryshoi jetën e 1000 njerëzve që punojnë aty


Kruja tradicionale zbriti këtë të mërkurë te Pazari i Ri në Tiranë. Dhjetëra artizanë nga qyteti historik kishin ardhur për të ekspozuar produktet e tyre në hapësirën më të veçantë të kryeqytetit. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe të Krujës, organizoi dje eventin një ditor “Mozaik Kruje” dhe “Artisans’ Fashion Night” për promovimin e bizneseve dhe vlerave të zonës ku operojnë, si dhe rijetëzimin social ekonomik të zonës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Pazari i Ri është kthyer tashmë në gurin e kurorës së gjithë investimeve që kanë ndodhur në kryeqytet. “Më vjen mirë që Pazari i Ri është bërë guri i kurorës i të gjitha investimeve. Ndaj, jam shumë i lumtur që mirëpresim miq që janë kthyer për të parë se si një punë, e cila u konceptua dhe u punua për muaj të tërë dhe që pati kaq shumë kontribut, duke filluar nga pronarët, banorët, tregtarët që treguan durim, sot të kemi një ansambël fantastik. Më vjen mirë që i kemi hapur dyert për të gjithë miqtë që na kanë ardhur nga Kruja me gjithë traditat”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se transformimi që ka pësuar Pazari i Ri jo vetëm që ka ndryshuar pamjen estetike të zonës, por në të njëjtën kohë ka përmirësuar edhe jetën e qytetarëve. Ai shprehu vullnetin e Bashkisë së Tiranës për të bashkëpunuar për projekte të tjera në të ardhmen. “Ky është një organizëm që jeton dhe filozofia jonë, por edhe e AADF, është të investojmë në projekte që jo vetëm i bëjnë gjërat e bukura, por që i bëjnë jetët e bukura. Unë besoj se më shumë se sa një projekt me 1000 detaje të bukura, ky është një projekt që ka ndryshuar jetën e 1000 njerëzve, që është bërë më e bukur prej faktit se ata kanë një vend pune, punojnë me djersën e tyre në një mjedis kaq fantastik. Për gjëra të bukura dhe për jetë të bukura që ndryshojnë qytetin e Tiranës jemi gati të bashkëpunojmë dhe ta çojmë akoma më tej”, tha ai.

Duke falenderuar Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për kontributin që ka dhënë për realizimin e projektit të Pazarit të Ri, Veliaj bëri të ditur se kanë nisur bisedimet për të realizuar të tjera investime të rëndësishme në kryeqytet. “Mezi pres që pas suksesit të Pazarit të Ri, të vazhdojmë me disa projekte të tjera. Jemi në bisedim me Fondin se cili do të jetë projekti dhe investimi ynë i ardhshëm në qytetin e Tiranës. Por, sot besoj është koha për mirënjohje nga zemra për të gjithë ata që kanë kaluar ditë dhe netë të tëra në një projekt me kaq shumë detaje, por që besoj ka përfunduar në perfeksion”, nënvizoi Veliaj.

Deputetja e PS, Eglantina Gjermeni falenderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për mbështetjen që ka dhënë për organizimin e këtij aktiviteti, që tregon mikpritjen që ka qyteti i Tiranës. “Kam kënaqësi të veçantë që të jemi sot me “Mozaik Kruja” këtu në Pazarin e Ri. Faleminderit kryetarit të bashkisë, organizatorëve që na e bënë ditën shumë të bukur, speciale dhe tregojmë vërtet mikpritjen që ka Tirana, zemrën e madhe, shpirtin e madh, shpirtin e bukur për të na mirëpritur të gjithëve, për të ndarë me ju traditat, zakonet, kulturën dhe gjithçka tjetër të bukur që çdo rreth i Shqipërisë mund të sjellë, siç solli Kruja”, u shpreh Gjermeni.

Drejtori i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff e cilësoi fantastik projektin e Pazarit të Ri, duke shtuar se është fillimi i shumë projekteve të tjera që do të realizohen me qeverisjen vendore dhe me qeverinë e Shqipërisë.

“Jam me të vërtetë i kënaqur që jam këtu sot me kryetarin e bashkisë dhe zonjën Gjermeni, për të festuar këto gurë të vjetër që sot janë kthyer në një projekt jashtëzakonisht shumë fantastik dhe fatmirësisht projekti ka dalë edhe më bukur se ç’mendonim para disa muajsh. Ndërkohë, ky projekt është përfunduar dhe në njëfarë mënyre mund të shohim se çfarë do të vazhdojë të bëhet në të ardhmen, është gjithashtu edhe fillimi i shumë projekteve të tjera që mund të bëjmë dhe mund të realizojmë me qeverisjen vendore dhe me qeverinë e Shqipërisë”, tha ai.

Kryetari i Bordit Drejtues të AADF-së, Michael Granoff dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zbuluan edhe një instalacion artistik si simbol i punës së bërë për zhvillimin e zonës së Pazarit të Ri. Që prej muajit mars, kur Pazari i Ri u përurua zyrtarisht, përmes tezgave mund të shohësh gjithnjë e më shumë turistë të cilët gjejnë rastin të shijojnë specialitetet e kuzhinës tradicionale shqiptare. Sot janë mëse 300 subjekte të cilët kanë vendin e tyre në këtë strukturë të re, 135 tregtarë të fruta-perimeve, 25 janë tezgat që kanë si specialitet tregtimin e mishit e të peshkut. Një hapësirë e veçantë i është dedikuar artizanatit tradicional. Fasadat shumëngjyrëshe të pallateve që rrethojnë tregun, në një alternim motivesh dekoruese tradicionalë dhe tavolinat plot me njerëz në çdo orë, e bëjnë vërtet një projekt të bukur./tvklan.al

Kategori
AktualitetLajmet KryesoreTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*