Edhe pse në dukje i qetë, koalicioni PS-LSI ditët e fundit është trazuar jo pak nga deklaratat e eksponentëve të të dy partive të majta, që kulmuan dje me përplasjen mes Luan Ramës dhe Saimir Tahirit për raportin e Departamentit amerikan të shtetit.

Sot ka qenë radha e Monika Kryemadhit, e cila ka sulmuar edhe pse jo me emër, Ministren e Arsimit si njeriu që cënoi të ardhmen e vendit duke cënuar ëndrrat dhe shpresat e maturantëve me reformën në arsimin universitar.

“Unë uroj që matura shtetërore e këtij viti të jetë ajo çka ne presim të jetë sepse po cenove ëndrrat edhe shpresat e një maturanti, të një të riu, për të ardhmen, ke cenuar shpresat dhe të ardhmet e një vendi. Ju asnjëherë nuk duhet të bëni kompromis përsa i përket dijeve tuaja. Besoj tek forca, te besimi dhe tek vullneti dhe tek dëshira e juaj për ta ndryshuar këtë gjë”, tha Kryemadhi.

Në takimin me të rinjtë e Lezhës foli dhe zëvendësministrja e arsimit, Nora Malaj e cila tha se po punohet për të korrigjuar gabimet e vitit të shkuar me maturën shtetërore./ TV KLAN