Kryetarja e re e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka kërkuar falje për bashkëqeverisjen me Partinë Socialiste të Edi Ramës.

Në Konventën e LSI që e zgjodhi Kryemadhin kryetare të kësaj partie, ajo u shpreh se gabimi i tyre është që heshtën kur panë se shqiptarët po keqqeveriseshin. Kryemadhi theksoi se LSI heshti përballë një realiteti të tillë për hatër të marrëveshjes që kishte me PS-në.

“Sot përpara jush dua të kërkoj falje edhe për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Rilindjen e Edi Ramës. Ne nuk folëm hapur dhe qartë që kur nisëm të konstatonim që shqiptarët nisën po keqqeveriseshin.  E bëmë këtë dhe në emër të fjalës së dhënë për të respektuar marrëveshjen që kishim për të qeverisur së bashku me socialistët. Ky ishte gabimi ynë që nuk reaguam fort që kur nisëm të konstatonim që Shqipëria po kthehej në një hambar droge. Ne nuk e ngritëm zërin sa duhej kur Shqipëria po jepej e gjitha me koncesion. Ne duhet të kishim parandaluar me masa ekstreme deri dhe në bllokimin e Parlamentit.

Ne heshtëm kur me paratë e oligarkëve Edi Rama i mbyllte gojën çdo media që denonconte krimin dhe korrupsionin që po përfshinte çdo strukturë të politikës. Ne duhet të kishim reaguar më shumë për mashtrimin që Rilindja na bëri me ligjin e arsimit të lartë. Ne mbyllëm sytë dhe veshët kur shihnim se qindra shqiptarë ndaloheshin nga policia sepse nuk kishin mundësi të paguanin energjinë, por klientët oligarkë të qeverisë Rama ende kanë miliona të papaguara”

, tha Monika Kryemadhi.

Tashmë si kryetare e LSI-së, ajo bëri edhe një premtim përpara të votuesve duke dhënë fjalën se nuk do të lejojë që vendi të kthehet në një vatër droge.

Ju jap fjalën e nderit të një nëne që nuk do të ndalem asnjë minutë jo vetëm pë të denoncuar, por për të luftuar deri në fund që ky vend të mos jetë më vatra e krimit dhe e drogës. Nuk do pranoj kurrë që ky vend i bekuar nga Zoti të kthehet në një vatër të krimit, të terrorit, të varfërisë, nuk do të pranoj kurrë që ky vend i jashtëzakonshëm të shitet dhe të blihet. Ju jap fjalën e nderit, ju jap fjalën e zemrës sime”

, tha ajo.

 Gjatë fjalës së saj, Monika Kryemadhi e cilësoi LSI-në forcë kryesore opozitare në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë e misionit të ri të kësaj partie.

“Besoj se është e qartë tashmë se ne jemi padyshim forca kryesore opozitare në Shqipëri. Ndryshe nga sa ndodh në një vend demokratik, në Shqipëri nuk e përcakton pakica opozitën, por e përcakton shumica. Tashmë kemi një punë të madhe përpara, ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare. Ata që  votuan LSI-në janë heronj sepse përballuan shantazhin, përballuan terrorin e policisë dhe të bandave. Edi Rama me paratë e drogës kund të blejë opozitën e tanishme, mund të blejë dhe një opozitar”,

u shpreh Monika Kryemadhi.

Në këtë Konventë, Luan Rama u zgjodh nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ristrukturimi i LSI vjen pas rezultatit të zgjedhjeve më 25 qershor, duke e nxjerrë këtë parti në opozitë. 

Vasili: Zgjedhjet ishin të turpshme, u shpërndanë para droge

Ish-kryetari i LSI-së Petrit Vasili i quajti të turpshme dhe manipulues zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas tij, me paratë e drogës u blenë votat e shqiptarëve. Vasili premtoi gjithashtu se LSI do të bëjë opozitë të fortë.

“Këto janë votat e mijëra të rinjve në çdo cep të vendit që e duan lirinë dhe nuk duan të shiten. Ky mision është sot më jetik se kurrë pasi vendin e ka pushtuar pseudo-demokracia. Zgjedhjet e 25 qershorit ishin një shfaqje e turpshme e manipulimit masiv. Ato ishin zgjedhjet më të shëmtuara që pluralizmi ka provuar, ishin një ripërsëritje e zgjedhjeve të vitit ‘96, ishin një krim elektoral i strukturuar. Paratë e drogës u shpërndanë ditën për diell. Këto vota janë themeli i një betoni të një opozite të vërtetë. LSI do të jetë muri ku do të thyejë kokën pushteti i krimit”

, tha ai.

Luan Rama: LSI u rrit si opozitë

Kurse Luan Rama theksoi rëndësinë e LSI në opozitë dhe u shpreh se kjo parti ka lindur duke luftuar arrogancën.

“Vota e 25 qershorit për LSI është  votë besimi. Në këtë moment të rëndësishëm për rolin e LSI, lëvizja jonë, lëvizja për Shqipërinë Europiane, lëvizja e të rinjve shqiptarë që duan dhe votojnë LSI-në nuk ka lindur në zyrat e pushtetit dhe as është rritur e forcuar prej tyre por është rritur në zemrat tuaja. LSI ka lindur dhe është rritur si opozitë me të keqen e pushtetit, në luftë me arrogancën. Prandaj ne jemi më të vendosur të vazhdojmë ta fitojmë këtë luftë. Shqipëria ka nevojë për opozitë”,

u shpreh Luan Rama.

/tvklan.al