Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka theksuar se riorganizimi i partisë pas kalimit në opozitë do të nisë nga gratë dhe vajzat.

Riorganizimi ynë do të nisë me gratë dhe vajzat, që do të jenë bërthama, jo vetëm e LGI-së, por edhe pikënisje për analizimin dhe trajtimin e çdo problematike në grupin parlamentar dhe më tej

”, tha Kryemadhi gjatë një takimi të Kryesisë së Lëvizjes së Gruas për Integrim.

Ajo tha se çdo emancipim, aksion apo reformë duhet ta nisim nga vetja dhe për këtë nismat tona do të jenë vendimtare për rivendosjen e integritetit të gruas në familje dhe në shoqëri.

Kjo nuk bëhet as në një ditë dhe as në një muaj. Por çdo angazhim i yni do të jetë një gur i qendrueshem në themelin e respektit të figurës së gruas shqiptare. Javën e ardhshme ne do të mbledhim KDK-në për të konkretizuar aksionin tonë politik në këtë drejtim

”, tha Kryemadhi.

Lëvizja Socialiste për Integrim, pavarësisht se rriti përfaqësimin e saj në Kuvendin e Shqipërisë me 19 deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit, kaloi në opozitë pas tetë vitesh.

Kryesia e Lëvizjes së Gruas për Integrim ka zhvilluar sot mbledhjen e saj në kuadër të riorganizimit të strukturave të LSI. Në këtë takim u ra dakord që javën e ardhshme të zhvillohet edhe mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LGI-së, takim në të cilin shpaloset edhe aksioni politik i LSI-së për fuqizimin e rolit të gruas. /tvklan.al