Disa javë përpara se holandezët t’i drejtohen kutive të votimit, Kryeministri Mark Rutte deklaroi se kushdo që refuzon vlerat e këtij vendi duhet të largohet.

“Silluni normal, ose largohuni”

, shprehet ai, në një mesazh që është nënkuptuar si sulm ndaj Partisë së Lirë, që është kundër emigracionit, e që aktualisht kryeson sondazhet popullore.

Në një intervistë për një gazetë vendase, kreu i qeverisë holandeze tha: “

Nëse jeton në një vend ku të duket e mërzitshme mënyra sesi sillemi me njëri – tjetrin, e ke një zgjidhje. Shporru! Nuk keni përse qëndron këtu”.

Sipas tij, holandezët ndihen gjithnjë e më pak rehatë me njerëz që abuzojnë pikërisht me atë liri, të cilën ishin në kërkim kur erdhën.

Zgjedhjet në Holandë do të mbahen më 15 Mars.

Lideri i Partisë së Lirë, Geert Wilders, që në sondazhe është “kokë më kokë” me Partinë Liberale të Rutte, e konsideroi mesazhin e Kryeministrit gënjeshtër.

“Njeriu që hapi kufijtë, krijoi një cunam azili, emigracion masiv, islamizimin, gënjen dhe mashtron”,

shkruajti Wilders në Twitter.

Sipas ekspertëve, edhe nëse Wilders fiton zgjedhjet do ta ketë vështirë për të formuar një koalicion, pasi Rutte e përjashtoi mundësinë për të formuar një qeveri të re me Partinë e Lirë.

Ndërkohë, ekspertët e politikës i kanë konsideruar zgjedhjet si një garë për ‘humorin kombëtar’, sesa një çështje tranzicioni për përballimin e krizës financiare nga qeveria.

Javën e shkuar, lideri i Partisë Konservative, Sybrand Bume e akuzoi Kryeministrin, i cili erdhi në pushtet në Tetor të 2010 –ës, se qëndron në krye të një “krize morale”./tvklan.al