Rikualifikimi urban i sheshit të Cërrikut ishte një nga investimet që kryeministri Edi Rama pa nga afër gjatë inspektimit të punimeve në qendër të qytetit.

Ndërtimi i shëtitores, rehabilitimi i fasadave, sistemi i ri ndriçimit dhe gjelbërimi sipas tij po transformojmë tërësisht pamjen e Cërrikut, duke i dhënë një tjetër vlerë banesave dhe njësive të shërbimit në këtë zonë.

“Një transformim i madh për qytetarët. I jep tjetër atmosferë e sens komunitetit. Vlera e apartamenteve, njësive të shërbimi rritet.”  

Në projektin e rehabilitimit të Cërrikut dhe Belshit përfshihet edhe prishja e 30 ndërtimeve që i kishin zënë frymën liqenit, ndërtimi i shëtitores dhe pistës së biçikletave përreth liqenit. Ky është investimi më i madh, i financuar nga qeveria për Belshin, në këto 25 vjet.

Kryeministri inspektoi edhe punimet në lotin Belsh-Vlashuk, që lidh 10 fshatra të njësisë administrative Kajan. Punimet që kishin nisur në vitin 2007, por që  ishin lënë në mes, po kryhen me parametrat e rrugëve nacionale. 

Me ndërtimin e rrugës distanca nga Tirana në Berat përmes këtij aksi bëhet 20 kilometër më e shkurtër dhe 85 liqenet e Belshit marrin një rivlerësim krejt tjetër nga pikëpamja e shfrytëzimit dhe turizmit.

Tv Klan