4 persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Durrësit pasi akuzohen si autorë të disa grabitjeve të dhunshme.

Të ndaluarit janë Juxhin Kapllani, 28 – vjeç dhe Armand Tata, 20 – vjeç, të dy banues në Durrës, Jurgen Kulmi, 21 – vjeç e Selvis Agasi, 20 – vjeç, këta të fundit banues në Shijak.

Policia ka finalizuar kështu me sukses operacionin e koduar “Burgman”, pas një hetimi disa javor.

Në sajë të këtij operacioni, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i gjashtë ngjarjeve të vjedhjeve me dhunë, ndërsa është parandaluar edhe një ngjarje tjetër, e planifikuar nga 4 të arrestuarit, të një filiali transferte parash “Western Union”, në afërsi të kryqëzimit të Stadiumit.

Në cilësinë e provave materiale policia ka sekuestruar 1 armë zjarri, 2 thika, 2 motora, 1 automjet tip Renault Clio me targa DR 1793 E, 4 telefona celularë, doreza, kapuçë dhe kokore motori.

Sipas policisë, të arrestuarit janë persona me precedentë të mëparshëm penalë, në fushën e veprave penale kundër pronës dhe armëmbajtje pa leje.

Mbi ta tashmë rëndon edhe akuza për veprën penale, vjedhje me dhunë, në bashkëpunim.

Më poshtë rastet e dokumentuara nga policia:

Më datë 25.10.2015, në lagjen Nr.12, me kaska motori dhe të armatosur, kanë vjedhur me dhunë një kazino “Apex”,(tentuar edhe nje herë më parë për t’u vjedhur).

Më datë 21.11.2015, në lagjen Nr.4 i kanë marrë me dhunë xhiron ditore punonjësit të karburant ”Kastrati”, rreth 12 000 lekë të reja.

Më datë 21.01.2016, në lagjen Nr.17/1, një një ”Lloto sport“, i kanë marrë me dhunë nja sasi parash shtetasit E.K.

Më datë 08.02.2016, në lagjen Nr.16 i kanë marrë me dhunë shtetasit B.B. roje në karburantin ”Euro Petrol” , xhiron ditore dhe një aparat celular.

Më datë 12.04.2016, në Shenavlash i kanë vjedhur shtetasit J.B. automjetin tip Renault Clio me targa DR 1793 E, të parkuar pranë banesës.

Më datë 04.05.2016, në lagjen Nr.14, kanë vjedhur më dhunë dhe nën kërcënimin e armës filialin e transferimit të parave ”Western Union”. 

/tvklan.al