Ambasadori i Shteteve të Bashkuar në Tiranë Donal Lu i kërkon politikës shqiptare të zgjedhë me konsensus një prokuror të përgjithshëm të përkohshëm. Diplomati amerikan bën apel që palët të lënë mosmarrëveshjet dhe të mos pengojnë Reformën në Drejtësi.

 “I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë për një zëvendësues të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm që i përfundoi mandati më 7 dhjetor. Të dyja palët ti japin fund epokës kur prokurori mbron politikanët e korruptuar. Politikanët ti lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe të zbatojnë këtë reformë në drejtësi”.

I dërguari i Uashingtonit në Tiranë është kritik për mënyrën si ka funksionuar organi i akuzës duke akuzuar se sistemi ka mbrojtur politikanët e korruptuar.

“Sistemi i shkuar mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri mes korrupsionit dhe ndikimit politik, sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht, ky vend nuk mund të hyjë në BE nëse ka shkallën më të ulët të ndjekjeve penale”.

Mandati i Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme përfundoi në 7 dhjetor. Mazhoranca thotë se i ka votat për të zgjedhur një prokuror të përgjithshëm të përkohshëm, por ka ftuar opozitën për gjetjen e një emri konsensual. Në krahun tjetër opozita ka refuzuar ftesën për dialog duke këmbëngulur se procedura e zgjedhur është në kundërshtim me Kushtetutën.  

Tv Klan