Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje sërish liderit demokrat të enjten që të diskutojnë zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm pas përfundimit të mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla.

“Lulzim Basha mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit po eja të flasim shqip për Shqipërinë, siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën”, shkroi Rama në Facebook.

Thirrja e Ramës erdhi menjëherë pasi Ambasada amerikane dhe delegacioni i BE-së në Tiranë thanë se mbështesin opinionet e OPDAT dhe EURALIUS, sipas të cilëve mandati i kryeprokurorit ka përfunduar dhe Kuvendi duhet të zgjedhë një kryeprokuror të përkohshëm me shumicë të thjeshtë.

Më herët të enjten Komisioni i Ligjeve nisi zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë deri në konstituivin e Këshillit të Lartë të Prokurorëve, i cili do të zgjedhë përfundimisht edhe prokurorin e ri.

Nisja e procesit është kundërshtuar ashpër nga Partia Demokratike, e cila thotë se kryeprokurori duhet të zgjidhet me 84 vota dhe jo 71 nga Kuvendi, ose duhet të pritet deri në konstituivin e Këshillit të Lartë të Prokurorëve, institucion i cili do të zgjedhë prokurorin e ri të përgjithshëm./tvklan.al