Pas arrestimit të tre shqiptareve në Itali si kreret e nje grupi që ka trafikuar 3.5 ton kanabis, kryeprokurori Adriatik Llalla ka pritur në një takim në zyrën e tij drejtuesin e Shërbimit Informativ Visho Ajazi Lika.

Nga institucionet nuk ka asnjë reagim zyrtar, por burime sqarojnë se në fokus kanë qenë disa hetime për disa grupe kriminale që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur në bazë të informacioneve të SHISH. Numri një akuzës, në mesditë do të priste në një takim edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i kërkuar nga ky i fundit.

Por burime nga Prokuroria e Përgjithshme sqaruan se për shkak të angazhimeve të Adriatik Llallës takimi nuk do të zhvillohet. Mendohet se në fokus të diskutimit mes tyre do ishin arrestimet e fundit në Itali, ku njeri prej tyre është i afërm i ish-ministrit. Ndërsa burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda sqarojnë se Shërbimi Informativ rreth një vit më parë ka dorëzuar informacione për disa grupe kriminale që kanë kultivuar kanabis dhe e trafikojnë atë drejt Italisë. Të dhënat Shërbimi i ka depozituar edhe për Moisi Habilajn, i arrestuar tashmë në vendin fqinj.

Prokurorët kanë kryer disa veprime hetimore, por ende pa mundur të mbledhin prova konkrete. Mësohet se krimet e rënda kanë pasur komunikim me autoritetet italiane ku i kanë kërkuar informacione për rastin konkret. Burimet sqarojne se hetuesit italianë kanë refuzuar të japin informacione me argumentin se operacioni është ende në zhvillim e sipër dhe mund të cënohet hetimi.

Tv Klan