Në një raport vjetor të kryer nga Grupi Mjedisor i Punës (Environmental Working Group) u zbulua se gati 70% e mostrave nga 48 lloje të produkteve të rritura në mënyrë konvencionale janë të ndotura me mbetje pesticidesh.

Udhëzuesi (EWG) për Pesticidet e gjendura në Produkte, i publikuar të mërkurën, përfshin “ndotjen” me pesticide tek frutat dhe perimet në më shumë se 36.000 mostra të testuara nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave.

Këtë vit luleshtrydhet kryesojnë listën e produkteve me përqendrimin më të lartë të pesticideve, ndërkohë që misri i ëmbël dhe avokadot janë renditur si prodhimet me përqendrimin më të ulët.

Çfarë janë pesticidet?

Pesticidet janë përdorur gjerësisht në prodhimin ushqimor për të kontrolluar dëmtues të tillë si insektet, brejtësit, barërat e këqija, bakteret, kërpudhat dhe mykun. Përveç përdorimeve të tyre në bujqësi, pesticidet janë përdorur për të mbrojtur shëndetin publik duke kontrolluar organizmat që bartin sëmundje tropikale, si për shembull mushkonjat.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesticidet janë potencialisht toksike për njerëzit. Ato mund të sjellin efekte negative në pjellori, sistemin imunitar apo atë nervor, shkaktojnë kancer dhe çojnë në probleme të tjera.

Raporti thotë se pesticidet mund të mbesin tek frutat dhe perime edhe pasi është bërë larja apo qërimi i tyre.

“Grupi i ndotur

Produktet që u rezultuan pozitive për mbartjen e pesticideve të ndryshme në përqendrime të larta të tyre janë paraqitur në listë dhe njihen si “grupi i ndotur”.

Duke filluar nga produktet që përmbajnë sasinë më të lartë të mbetjeve të pesticideve, lista rendit: Luleshtrydhet, spinaqin, nektarinat, mollët, pjeshkët, selinonë, rrushin, dardhat, qershitë, domatet, specat e mëdhenj dhe patatet.

Luleshtrydhet gjenden në krye të listës me të paktën 20 pesticide, ndërsa spinaqi renditet në vendin e dytë me të njëjtën sasi sipas peshës, se çdo kulturë tjetër bujqësore.

Pesticidet përgjegjëse tek produktet përfshijnë tre kërpudha dhe një insekticid të quajtur “permethrin”, i cili sjell kriza në sistemin nervor të kafshëve dhe insekteve.

Produktet më të reja të shtuara në listë ishin dardhat dhe patatet, të cilat zëvendësuan domatet, qershitë dhe trangujt nga viti i kaluar.

“15-shja e pastër

Produktet ushqimore që kanë relativisht më pak pesticide dhe përqendrime të ulëta të tyre futen në grupin e quajtur “15-shja e pastër”.

 Në këtë listë përfshihet misri i ëmbël, avokadot, ananasi, lakra, qepët, bizelet e ëmbla, papaja, asparagusi, mangot, patëllxhani, kivi, pjepri, lulelakra etj.

Vetëm 1% e mostrave treguan pesticide të dallueshme në numër pothuajse të papërfillshëm tek avokadot dhe misri i ëmbël, që gjykohen si prodhime të pastra.

Më shumë se 80% e mostrave të analizuara të ananasit, papajas, asparagusit, qepës dhe lakrës nuk treguan mbetje të pesticideve.

Reporter për CNN: Johanzynn Gatewood

Përktheu dhe përshtati për tvklan.al: Florida Telha