Eurodeputeti Eduard Kukan thekson se kriza politike në Shqipëri dhe Maqedoni është shumë shqetësuese. Sipas tij bojkoti parlamentar është kthyer në një trend rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë për portalin “Eropian të Ballkanit Perëndimor”. Kukan foli për krizën politike dhe bojkotin parlamentar që ka prekur vende si Maqedonia dhe Shqipëria. Sipas tij ky është një trend rajonal.

Eduard Kukan, Eurodeputet: “Ne po shohim një trend shqetësues në gjithë rajonin, dukshëm në lidhje me funksionimin e rregullt të demokracisë parlamentare dhe institucioneve të caktuara shtetërore. Kjo gjendje krijon pothuajse një rreth vicioz në të cilin demokracitë e dobëta ushqejnë institucione të dobëta dhe anasjelltas. Në po hasim kriza serioze politike në Maqedoni dhe Shqipëri.

Vendet e tjera në rajon, si për shembull Mali i Zi dhe Kosova po përballen me bojkotet parlamentare. Duket se ky është një trend rajonal, i cili është kundër-produktiv për zhvillimin e demokracisë në vendet që janë në pragun europian. Shpresoj që në muajt e ardhshëm të shikoj një ndryshim të rëndësishëm në këtë trend”.

Ndërkohë, Kukan foli edhe për zgjerimin e Bashkimit Europian. Eurdodeputeti në intervistë përmendi vetëm Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjën si vendet që kanë bërë përparim në këtë drejtim. Ai theksoi se pa respektimin e sundimit të ligjit nuk ka aderim në BE. /ABC News