Nëse shtylla nuk do ta kishte ndalur goditjen e Hamdi Salihit në 11-metërshin e minutës së 55, Skënderbeu do të vazhdonte të ruante distancën me vendin e dytë. Rezistenca e Kukësit u përforcua nga fati i keq i korçarëve, që dolën nga fusha e tyre me një barazim pa gola, që për ta konsiderohet humbje, ndërsa për kuksianët një rezultat mjaft i mirë.

Edhe pse Kukësi kishte zgjedhur më së shumti të mbrohej në këtë takim, golashënuesi më i mirë i kampionatit Pero Pejic e pati një rast, 3 minuta pas penalltisë së humbur të Salihit. I vetëm para Orges Shehit, kroati nuk bëri më shumë se ta përplasë topin në duart e portierit.

10 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, Salihi kishte edhe një tjetër mundësi nga një pozicion i favorshëm brenda në zonë, por përsëri ishte i pasaktë.

Ky barazim është në favor të Partizanit, që afrohet në distancën e 2 pikëve me Skënderbeun, pasi fitoi minimalisht 1-0 në ndeshjen kundër Korabit. Të kuqtë u treguan cinikë në këtë ndeshje, duke u mjaftuar me atë që mund të quhet dhuratë e pavullnetshme e portierit të Korabit.

Vujadinovic ktheu në mënyrë të pasaktë një top, që përfundoi në këmbët e ganezit Ekuban, që u tregua i saktë në goditjen e tij.

Takimi tjetër i ditës mes Laçit dhe Flamurtarit, përfundoi në barazim 1 – 1.

Luftëtari – Tirana dhe Vllaznia – Teuta janë takimet e së dielës, që do të mbyllin javën e tetë.

Tv Klan