Nëse arrin të kualifikohet me Sherifin e Tiraspolit, Kukësi, mund të përballet në turin e tretë me Karabakun e Ansi Agollit.

Skuadra e Enrnest Gjokës duhet të japë më shumë se 100% në ndeshjen që do të luhet në “Elbasan Arena” për të përmbysur humbjen 1-0 në Moldavi. Suksesi do ti vendosë kampionët e Shqipërisë përballë skuadrës fituese të çiftit Karabag –  Samtredia e Gjeorgjisë.

Këtë fat e përcaktoi shorti i hedhur në Nyon të Zvicrës për turin e tretë kualifikues të Champions League. Ekipi i kapiten Ansi Agollit e ka fituar ndeshjen e parë thellë 5-0 dhe në takimin e kthimit në Gjeorgji me gjasë edhe do të kualifikohet. Përballja e Kukësit me Karabagun do të ishte interesante, por më parë kuksianëve iu duhet të kalojnë pengesën moldave të sherifit.

Kualifikimi në fazën e tretë u intereson kuksianeve, pasi jo vetëm do të sillte të ardhura nga UEFA, por edhe në rast eliminimi në këtë fazë, do të vazhdonin garën në play-off të grupeve të  Europa League.

Kundërshtarin e mundshëm të fazës së tretë të Europa League e ka mësuar edhe Skënderbeu. Shorti vendosi që nëse do të arrijnë të kualifikohen, korçarët do të përballen me fituesin e çiftit Shamrock Rovers të Irlandës dhe Mlada Boleslav të Çekisë. Rezultati i ndeshjes së –parë të luajtur në republikën e Irlandës ka përfunduar 3-2 për cekët të cilët do ta kenë më të lehtë sfidën e kthimit.

Tv Klan