Çështja e trajnerit të ri të Kukësit është kthyer në një replikë mes klubit dhe Skënder Gegës.

Kampionët e  Shqipërisë me anë të një reagimi mohuan të enjten se ka qenë në plan zyrtarizimi i tij në stolin e ekipit, ndërsa pranojnë se pati një takim me ish-trajnerin e Kombëtares Shpresa.

Në reagim shkruhet se i është kërkuar një projekt Gegës që nuk e ka sjellë.

Por kjo mohohet nga Skënder Gega që thotë se ka paraqitur një projekt deri në detaje madje është folur edhe në aspektin financiar.

Ai shton se është kontaktuar edhe më parë për postin e drejtorit teknik dhe më pas të emërohej trajner, por nuk ka dashur të ketë bëjë pasi ekipi drejtohej nga Ernest Gjoka.

Drejtuesit e Kukësit nuk kanë përcaktuar një afat për zgjedhjen e trajnerit të ri, por kërkojnë kohë për të vlerësuar kandidatët. Skuadra kampionë këtë sezon debutoi në Champions League, por pa arritur të kalojë të paktën një tur.


Më poshtë gjeni reagimet e plota:

F.K. Kukësi është në procesin e shqyrtimit të kandidaturave për postin e ri të trajnerit të ekipit dhe po ndjek më vëmendje CV-të dhe projektet që kanë trajnerët, të cilët si objektiv të padiskutueshëm kanë daljen kampion.

Në shtypin e ditës dhe në rrjetet sociale ka një furi lajmesh të pavërteta për emra trajnerësh dhe largime apo afrime lojtarësh, por klubi nuk ka ndërmend të merret shumë me këto gjëra, por me projektin madhor të një klubi që ka si synim fitimin e titullit.

Trajner te Kukësi nuk mund të bëhet askush nëpërmjet mediave apo rrjeteve sociale, por me projekte serioze dhe objektiva të qarta.

Sa i përket kandidaturës së z. Skënder Gega, mund të sqarojmë opinionin publik se nuk ka patur asnjë akord me të nga ana e klubit.

Z. Gega ka patur vetëm një takim me presidentin Gjici, nëpërmjet menaxherit të klubit. Në këtë takim presidenti i ka kërkuar Gegës një projekt të tij për Kukësin në afatin kohor të dy ditëve për ta parë dhe më pas për të vendosur nëse ky projekt e bind apo jo. Z. Gega nuk e solli këtë projekt, ndërkohë që klubi ka vijuar punën duke mos pritur më nga ai. Nuk ka patur asnjë ofertë, asnjë detaj, asnjë shifër, asnjë afat kohor për kontratë, asnjë plan për prezantim zyrtar, por Gega thjesht duhet të sillte një projekt, në bazë të të cilit do të vlerësohej. Klubi i Kukësit ka qëndruar korrekt dhe për asnjë moment nuk është rënë dakord për prezantimin e tij. Në të njëjtën kohë nuk e kuptojmë tendencën e përdorimit të rrjeteve sociale për publikimin e mesazheve apo informacioneve që janë diskutuar në takimet private mes palëve, aspak profesionale.

Klubi, që tashmë ka përvojën dhe suksesin e duhur dhe nuk është ndalur asnjë minutë në punën serioze të forcimit të ekipit dhe riformatimit të një klubi kampion, po shqyrton pa ngutje projekte më të mira që po sjellin kandidatët për trajner, ku kërkohen objektiva të qartë për marrjen e trofeve. Gjithashtu sigurojmë tifozerinë tonë që të ketë besim te klubi dhe të mos bie pre e informacioneve të gabuara që japin mediat apo dhe individë të caktuar, të cilët nuk janë më pjesë e Kukësit, ose bëjnë lojën e ekipeve të tjera duke përmendur emrin e Kukësit për të rritur pazaret e tyre dhe për të ricikluar emrin e tyre, ndoshta të harruar, ndërkohë që klubi ynë nuk i ka në planet e veta.

Kukësi është projektuar për kampion. Historia jonë në futbollin shqiptar dhe atë evropian është një perlë dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Normalisht që posti i trajnerit dhe stafit që ai përzgjedh do të peshohet mirë përpara se të vendoset.

Presidenti Gjici nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet në punën e tij për të mbështetur ekipin dhe tifozerinë, që së bashku sërish të jemi elita e futbollit shqiptar.


Reagim i Skënder Gegës

Pasi pashë një reagim të Kukësit, duke përmendur emrin tim, jam i detyruar të reagoj , për të sqaruar opinionin publik.

Së pari, më vjen keq që tifozët e ekipit që u shpall kampion i Shqipërisë, duhet të dëgjojnë të tilla reagime, pasi meritojnë të dëgjojnë për arritje sportive, suksese dhe profesionalizëm. Gjithsesi, më duhet të tregoj kronologjinë e raportit tim me klubin e Kukësit:

– Përfaqësuesit e klubit, të deleguar nga presidenti, kanë pasur takime të vazhdueshme me mua, prej afro 2 muajsh. Më ofruan disa kohë më parë postin e drejtorit teknik në klub, për të më ideuar më pas si trajner, por e kam refuzuar për respekt të kolegut tim Ernest Gjoka, i cili ishte në detyrë gjatë asaj periudhe. Ishte një standart që nuk do ia lejoja asnjeherë vetës.

– Kohët e fundit, kur edhe Kukësi ishte zyrtarisht pa trajner, përfaqësuesit e lartë të klubit, të deleguar nga presidenti, kanë biseduar me mua, jo vetëm duke më bërë ofertë konkrete financiare, por në ditët e fundit më kanë kërkuar dhe bashkarisht kemi dhënë mendimet për mënyrën se si duhet ndërtuar skuadra, ku përfshihen edhe elementë të caktuar brenda ekipit. Pra, pjesa e projektit tim, që ata pretendojnë se nuk është bërë, konfirmoj se ka arritur deri në detaje. Madje, edhe duke vendosur mbi stafin qe duhet larguar dhe afruar.

– Është e vërtetë që me presidentin Gjici, jam takuar vetëm një herë. Ka qenë një takim që nuk ka zgjatur shumë, pasi ai u detyrua të largohej për shkak të impenjimeve politike. Por, ishte i mjaftueshëm për të qartësuar edhe pozicionin tim. Pak minuta pas atij takimi, përfaqësuesi më i lartë i klubit të Kukësit, i deleguar nga presidenti për të biseduar me mua, më njoftoi që të përgatitesha për prezantimin në paraditen e së nesërmes.

– Fatmirësisht, të gjitha takimet që kam bërë me përfaqësuesit e klubit, janë realizuar në dëshmi edhe të një personi te trete. Këtë element e them për të lajmëruar zyrtarët respektiv të klubit, që të mos abuzojnë me të vërtetën. Gjithsesi, unë asnjëherë nuk i nxjerr në publik takimet kofidenciale, ashtu siç jam befasuar që mesazhi i dërguar drejtuesve në telefon, ka dalë shumë shpejt në media. Madje, edhe gjate bisedimeve qe kemi pasur, lajmet kane dale, pa u ngritur ende nga tavolina.

– Une kam drejtuar skuadra në tre kontinente. Kam qenë pjesë e stafit të kombëtares së SHBA-së, kam qene trajner ne Universitet, kam qene drejtor akademie prej 13 vitesh ne New Jersey, kam qenë trajner i kombëtares U-21, Kombetares U-19, kam drejtuar në Kuvait. Kudo që kam punuar, kam punuar me projekt dhe kane rezultuar te suksesshme. Nuk mendoj se unë do përdorja emrin e Kukësit për të rritur emrin tim, por besoj se është duke e ndodhur e kundërta.

Tv Klan