Kukësi luan sot në orën 21:05 në Vjenë me Austrian, një kundërshtar i fortë, por drejtues të ekipit shqiptar besojnë. Fituesit e Kupës së Shqipërisë nuk duan të ndalen në turin e dytë kualifikues të Europa League.

Dritan Dervishi, Drejtor Sportiv i Kukësit: Bazohemi në forcën tonë dhe nuk kemi ardhur për turizëm pasi kundërshtari ka forcën e tij, por edhe pika të dobëta që duhet t’i shfrytëzojmë.

Kukësi disa sezone më parë mbërriti deri në fazën play off, të Europa League. Skuadra është përforcuar me disa lojtarë, më së shumti në mesfushë. Sabjen Lilaj, Masato Fukui dhe Liridon Latifi janë huazuar nga Skënderbeu për kupat e Europës.

Ata pritet të jenë në fushën e stadiumit “Erns Happel”. Austria e Vjenës kthehet në kupat e Europës pas një mungese 3-vjeçare. Hera e fundit ishin grupet e Champions League. Trajneri Thorsten Fink sqaroi në konferencën për mediat se nuk kanë pse ta nënvlerësojnë Kukësin.

Skuadra austriake e ka marrë këtë sfidë seriozisht që në ta kaluarën eliminoi nga kupat e Europës, Dinamon, Vllazninë dhe Partizanin. Kukësi eliminoi në turin e parë skuadrën malazeze Rudar Pljevlja. /TV KLAN