Kukësi – Partizani vjen në javën e 11 të kampionatit si asnjë herë më parë. Kampionët nuk po bindin me lojën e tyre që prej fillimit të sezonit, ndërsa Partizani nuk është aspak ai i një viti më parë. Diplomatik në deklaratat e tij, trajneri i Kukësit Milinkoviç e cilëson kundërshtarin një skuadër të fortë.

“Trysninë nuk na e jep asnjeri por na e japin vetë rezultatet. S’është nevoja të ndihem në trysni as nga presidenti as nga njeri tjetër. Gjithmonë kur nuk ka rezultate pozitive, i pari që jam në trysni jam unë se unë e kam fajin. Partizani është gjithmonë Partizani, në ditë të mira apo të këqija. Ne nuk duhet ti nënvlerësojmë dhe nuk do ti nënvlerësojmë pasi është një ndeshje derbi, dhe dua që dhe lojtarët e mi ta mendojnë kështu.”

Fitorja do të sillte qetësi në skuadër, sipas mbrojtësit Shameti.

“Avantazhi i vetëm është që të jemi të bashkuar dhe ta kthejmë këtë moment në një shtysë. Të shfrytëzojmë faktorin fushë dhe një fitore me Partizanin është një lloj qetësie”, tha Ylli Shameti.

Pozitat e Kukësit kërcënohen nga Flamurtari. Pas përballjes me Skënderbeun, duket se vlonjatët nuk do ta kenë shumë të vështirë me Lushnjën.

“Do të shkojmë për fitore në Lushnjë”, tha Muhamet Useini.

Flamurtari gjendet aktualisht në vend të tretë me 17 pikë,ndërsa objektivi minimal këtë vit janë Kupat e Europës./Tv Klan