Këto janë pamjet që do të ketë “Kulla Ikonike” në kryeqytet nëse qeveria do të arrijë një marrëveshje me firmën “Al Habtoor Investment”.

Kompania nga Dubai ka propozuar të ndërtojë një godinë 350 metra të lartë me një sipërfaqe totale prej 145 mijë metrash katrorë.

Në këmbim të projektit ku do të investohen 250 milion dollarë, firma kërkon përjashtim nga çdo lloj takse për 15 vjet dhe faljen e 25 mijë metrave katrorë truall në fund të bulevardit të ri të Tiranës.

Për këtë arsye, qeveria po ndryshon edhe ligjin për investimet e huaja, pasi kështu firma nga Dubai do të ketë siguri juridike për pronën që merr, edhe nëse ka pretendime se toka ka pronarë të tjerë dhe jo shtetin. Duke raportuar në komisionin e veprimtarive prodhuese ministrja e Ekonomisë Milva Ikonomi, tha se po kërkohet ndihma e parlamentit, pikërisht se lloji i investimit nuk klasifikohet si strategjik.

Por deputeti i LSI-së Robert Bitri, kërkoi të dijë arsyet se përse po jepet 18 milion euro tokë falas dhe përjashtim nga taksat për këtë projekt.

Kompania me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe ka dorëzuar kërkesën pranë ministrisë së Ekonomisë për ndërtimin e një kulle me vlerë 250 milionë dollarë.

Burimet për televizionin Klan thonë se si përfitim Shqipëria do të marrë 3 mijë metra katrorë zyra të barasvlefshme me 10 milionë dollarë. Në total vlera ekonomike e kësaj vepre nëse shitet arrin në 483 milion dollarë. Ambientet do të kenë si qëllim banimin, dhënien e shërbimeve dhe hotelerinë. Kompania “Al Habtoor Investment” ka premtuar se do të përfundojë ndërtimin për 3 vjet.

Tv Klan