3 shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Shqiptarët, të moshës 25, 27 dhe 48 – vjeç kishin kthyer në një plantacion të marijuanës një kështjellë të braktisur prej vitesh, në pronësi të provincës së Forli – Cesena, në rajonin në Emilia-Romagna.

Kjo ndërtesë e madhe dhe prestigjoze, ishte lënë si trashëgimi provincës nga Guiseppe Pedriali gjatë viteve 20 dhe vitet e fundit ajo kishte mbetur peng e mosmarrëveshjeve ligjore mes privatit dhe komunës së Bagno dhe Ripoli.

Duke përfituar nga ky fakt, shqiptarët e kishin transformuar këtë kështjellë në një fabrikë marijuane. Dy dhoma të blinduara, sistem vaditjeje, ventilim dhe ajër i kondicionuar. Përveçse një depo, ata kishin vendosur edhe një cisternë plastike për mbledhjen e ujërave. Një serë e mirëfilltë e krijuar në këtë godinë historike.

Gjatë kontrollit në këtë ndërtesë, policia zbuloi 550 bimë marijuanë, rreth 1.8 metra të gjata.

Autoritet ranë në gjurmët e shqiptarëve pas raportimeve për një qen të kequshqyer, i cili u gjet i mbyllur një vilë pranë. Në momentin që janë futur për të nxjerrë qenin, policia ka ndjerë erën e rëndë të marijuanës dhe ka nisur menjëherë hetimet.

Rreth gjysmë ore më vonë, pranë kështjellës mbërritën 3 shqiptarët, të tre të njohur për forcat e rendit për krime të ndryshme.

Ata janë të tre rezidentë në provincën e Firencez dhe punonin si punëtor krahu. Gjatë kontrollit atyre iu gjetën çelësat e kështjellës, me të cilat u hapën dhe portat e serës.

Mediat italiane shkruajnë se ata u përpoqën të justifikoheshin tek autoritetet italiane duke u thënë se e kultivonin “barin” edhe në vendlindje.

Mbi tre shqiptarët e arrestuar rëndojnë akuzat për veprat penale të kultivimit të substancave narkotike, keqtrajtim të kafshëve dhe zaptim të terreneve dhe zyrave dhe vjedhje të energjisë elektrike. /tvklan.al