Tirana merr hak ndaj Vllaznisë që e zbriti nga kategoria duke e eliminuar nga Kupa e Shqipërisë. Në ndeshjen e kthimit, bardheblutë humbën në Loro Boriçi, por kualifikohen pasi kishin fituar të parën 2-0. Në turin e tretë, Tirana do të përballet me kampionët në fuqi, me Kukësin që në ndeshjen e kthimit me Erzenin fitoi 5-1.

Në fund të takimit pati tension në fushë. Tifozë të Vllaznisë e nxorrën inatin e eliminimit me arbitrin Enea Jorgji, ndaj të cilit hodhën edhe sende te forta ndërsa futbollistë të Tiranës pretendojnë se janë goditur nga efektivet e FNSH-së Shkodrës. Për këtë ngjarje klubi ka bërë edhe denoncim.

Sfidë interesante pritet të jetë edhe Teuta – Skënderbeu. Durrsakët shkatërruan 4 – 0 Kamzën në Niko Dovana, ndërsa Skënderbeu fitoi 3 – 1 me Besëlidhjen. Përballja me e fortë e turit të tretë mendohet të jetë Flamurtari – Partizani. Vlonjatët edhe pse me ekipin rezervë nuk e diskutuan fitoren me Turbinën e Cërrikut. 5-2 përfundoi ndeshja e kthimit që u luajt në stadiumin e Orikumit.

Laçi që u kualifikua me Lushnjën do ta mësojë kundërshtarin këtë të enjte. Do të jetë Luftëtari apo Bylis. Skuadra ballshiote duhej të luante ndeshjen e kthimit në Gjirokastër, por është paraqitur me më shumë vonësë nga ç’e parashikon rregullorja për shkak të një defekti në autobusin ku udhëtonte. Në këtë mënyrë Komisioni i disiplinës do të vendosë nëse do t’ia japë në tavolinë ndeshjen Luftëtarit që do të thotë edhe kualifikim për në turin e tretë.

Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 31 janar dhe 2 shkurt të 2018.

Tv Klan