Mbrojtja dhe mesfusha janë repartet ku Christian Panucci ka afruar më së shumti lojtarë të rinj në Kombëtare. Megjithatë ka të tillë si Naser Aliji, i cili është bashkuar me Kuqezinjtë prej vitit 2015, por pa arritur të marrë vendin e titullarit. Miqësorja me Norvegjinë, të hënën në mbrëmje në Elbasan, pritet të jetë një mundësi e mirë për mbrojtësin e krahut të majtë të tregojë vlerat e tij.

“Unë e shikoj si një shans të mirë për mua. Jam në formë të mirë, jam gati, por në fund do të vendosë trajneri”, tha Aliji.

Ylber Ramadani grumbullohet për herë të dytë me Kombëtaren e madhe. Mesfushori 21-vjeçar shpreson në minutat e para.

“Natyrisht nëse do të jem në fushë do të jap maksimumin për çdo minutë. Ne do të lujamë për ta fituar ndeshjen që të rrisim moralin e ekipit”, tha Ramadani.

Trajneri Christian Panucci ka provuar disa skema gjatë stërvitjeve që nisën të martën dhe deri të dielën ka kohë për të vendosur formacionin që do të nisë nga minuta e parë. Miqësorja me Norvegjinë do të luhet të hënën në orën 19:00 në Elbasan Arena.

Tv Klan