Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri u bëri sot thirrje komisionerëve dhe numëruesve të përmbyllin procesin e numërimit brenda afatit që përcakton Kodi Zgjedhor, duke kërkuar vendosjen e një standardi të ri në proceset zgjedhore në Shqipëri.

Por çfarë thotë Kodi Zgjedhor për afatin përfundimtar, brenda të cilit duhet të përmbyllet numërimi dhe çfarë ndodh në rast dështimi?

Sipas nenit 122 të Kodit Zgjedhor,

“Tabela përmbledhëse e rezultatit të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor nxirret nga KZAZ-ja jo më vonë se ora 22:00 e ditës së nesërme të votimit.”

Por shumë KZAZ nën justifikimin e nenit 119/5 kanë ndërprerë procesin e numërimit me justifikimin se kjo ka ndodhur për shkaqe që nuk varen nga administrata zgjedhore dhe që pengojnë procesin normal të numërimit.

Shkaqe justifikuese të shënuara nga ana e komisionerëve të KZAZ-ve në Librin e Protokollit të Mbledhjeve, në të shumtën e rasteve ka qenë pamundësia fizike, lodhja dhe domosdoshmëria për të pushuar.

Ky justifikim, si mbrëmë ashtu edhe sot, nga kryetari i KQZ-së Klement Zguri është konsideruar si shkelje.

Në rast se KZAZ-të nuk e përmbyllin procesin në afatin ligjor, ata do të vijojnë procesin e numërimit, por fillimisht do të njoftojnë administratën e KQZ-së, si dhe do të shkruajnë në Librin e Protokollit të Mbledhjeve arsyet dhe shkaqet që sollën këto vonesa.

Me përfundimin e dorëzimit të tabelave përmbledhëse të rezultateve, KQZ-ja merr rolin e rëndësishëm të nxjerrjes dhe certifikimit të rezultateve, në bazë të Zonave të Administrimit Zgjedhor./tvklan.al