Rreth 665 nxënës të shkollës “Kongresi i Lushnjes” do të kenë mundësi të studiojnë në mjedise të rikonstruktuara, të cilat ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme dhe moderne për mësimdhënie, përfshi laboratorë të rinj, klasa të reja, si dhe ambiente sportive. Rikonstruksioni i shkollës është bërë falë punës së realizuar nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Arsimit dhe mbështetjes së kompanisë “Philip Morris”.

Ambientet e reja të shkollës u inspektuan sot nga kryetari i Kuvendit  të Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. I rikthyer në shkollën ku ka mësuar, kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi transformimin e madh që ka pësuar kjo shkollë, ndërsa u shpreh se të gjithë nxënësit që e frekuentojnë atë do të kenë mundësi të përgatiten për të ardhmen në ambiente moderne dhe me një staf pedagogjik të përkushtuar.

“Për mua nuk mund të kishte një ditë më të bukur dhe më me diell dhe me fëmijë kaq të qeshur dhe të gëzuar dhe me plot ëndrra, se sa duke u kthyer në shkollën ku unë kam mësuar abetaren dhe ku kam patur mundësi t’i dhuroj zyshës time lulet e para. Shumë gjera kanë ndryshuar që atëherë, kjo ka qenë një shkollë 4 vjeçare, sot është një shkollë 9 vjeçare. Ka qenë një shkollë modeste, por përsëri një shkollë e jashtëzakonshme dhe sot është një shkollë mjaft moderne falë Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Arsimit dhe Philip Morris. I falendroj për këtë modernizim të jashtëzakonshëm që i kanë bërë shkollës “Kongresi i Lushnjes”, ku ke ndjesinë që mund të jesh në një shkollë të nivelit më të lartë evropian”

, tha kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Ai shprehu bindjen se kushtet që ofron sot kjo shkollë do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejte në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përgatitjes së nxënësve për të patur një të ardhme të sigurt.

“Takuam shumë mjekë të ardhshëm, shumë futbollistë të ardhshëm, shumë shkencëtarë të ardhshëm dhe shpresojmë qe ne të ardhmen të takojmë më shumë politikanë të ardhshëm nga kjo shkollë, që të jenë më të mirë se sa ne, të jenë më të përgjegjshëm se sa në dhe të jenë më tolerante me njeri tjetrin, në mënyrë që fëmijët e Shqipërisë të shohin sa më pak politikanë dhe debate politikanësh në televizion”,

shtoi Meta.

Një falenderim të veçantë ai pati për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për përkushtimin që ka treguar në rikonstruksionin e ambienteve të kësaj shkolle dhe për ta shndërruar atë në një model për të gjitha shkollat e tjera.

“Dua të falenderoj Lali Erin për kujdesin që tregoi për shkollën “Kongresi i Lushnjes”,

u shpreh kryetari i Kuvendit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi fillimisht ata që ndihmuan për rikonstruksionin e kësaj shkolle, si dhe stafin mësimdhënës për sakrificat e tyre.

“Ky ishte një projekt ideal ku treguam se kur ne bëhemi bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme. Kur punojmë bashkë dhe kemi fokusin tek puna, bëjmë gjëra të mrekullueshme. Unë në Bashkinë e Tiranës jam dëshmitar i kësaj. Nëse në Bashkinë e Tiranës nuk bashkëpunojmë me të gjitha grupimet, me grupime politike, me grupime qytetare, me grupime nxënësish, me grupime prindërish, Bashkisë së Tiranës nuk i shkon puna mirë. Ndaj edhe mua më vjen mirë, që sot, nën këtë shembull bashkëpunimi, jam këtu me një mik të nderuar, Kryetarin e Kuvendit, ish-nxënës i kësaj shkolle, i cili ka ndjekur me vëmendje punën në Tiranë dhe sa herë që dëgjoj ndonjëherë debatet politike ku sigurisht, kur njerëzit kanë përgjegjësi marrin përsipër edhe kritika, marrin përsipër edhe vërejtje, e rëndësishme është që secili prej nesh të bëjë maksimumin që të korrektojmë edhe të bëjmë çmos që çdo vërejtje, e çdo kritikë të reflektohet dhe çdo ditë puna të ketë progres”,

tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se pavarësisht përkatësive politike apo debateve të ditës, e rëndësishme është që interesi i qytetarëve të triumfojë gjithmonë, ashtu si edhe në rastin e ndërtimit të kësaj shkolle, e cila do t’u shërbejë të gjithë fëmijëve që vazhdojnë mësimet në të. Ai theksoi se në modelin e ndjekur në këtë shkollë do të vijojnë të transformohen dhe të ndërtohen edhe shkolla të reja në Tiranë për të arritur plotësimin e qëllimit që në kryeqytet të mos ketë më shkolla me dy turne.

“Besoj që në këtë frymë të konsensusit, të bashkëpunimit, të punës për të mirën e përbashkët, të frymës e cila prodhon rezultate konkrete për të gjithë qytetarët, do të vazhdojmë jo vetëm në këtë shkollë, por në të gjithë shkollat e Tiranës. Ne i kemi paraqitur një propozim qeverisë shqiptare, qeverisë së koalicionit tonë, që në këtë frymë të vazhdojmë me shkolla të tjera”,

theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se shumë shpejt do të vijnë edhe rezultatet e para të punës së transformimit të infrastrukturës arsimore në Tiranë, ku krahas rikonstruksioneve do të ndërtohen edhe 20 shkolla të reja.

“Një nga shkollat ku unë jam shumë krenar se ka qenë ish-shkolla ime, është shkolla “Kosova”. Bashkë me Elezin ne Njësinë 2, nisem punën per shkollën “Kosova” dhe brenda këtij viti do të kemi një shkollë të re. Brenda këtij viti do të kemi edhe shkollën “Hoxha Tahsin”.

Po ashtu, te Bregu i Lumit do të kemi shkollën e re aty dhe shkollën e re në Kombinat, e cila të paktën në këto zona do t’i japë fund njëherë e mirë mësimit me 2 turne, kjo është diçka konkrete, e prekshme dhe e ndjeshme për ç’do familje të Tiranës. Ndaj miqtë e mi, sa herë që dëgjoni që politikanët bëjnë debate, bëjnë kritika për njëri-tjetrin, duhet të kuptoni që bëhen gjithmonë për të përmirësuar punën, kur vjen momenti i vendimeve finale, marrim vendimet e duhura për qytetin dhe për shtetin, që puna të na shkojë mbarë dhe fëmijët e gjeneratës së re të shqiptarëve, të kenë kushte më të mira, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë”,

u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj./tvklan.al