Ministria e Energjisë i hoqi bashkimit të shoqërive “KURUM” dhe ortakut të saj “Sishuan” koncesionin e minierës së kromit në Kalimash dhe Vllahna, si dhe dy fabrikave të pasurimit të kromit në Kalimash dhe bakrit në Golaj.

Vendimi mban datën 20 Tetor dhe i është përcjellë për dijeni edhe shoqërisë në fjalë. Sipas vendimit të Ministrisë së Energjisë, koncesionari ka kryer shkelje të vazhdueshme të detyrimeve që komprometojnë vazhdimësinë e punimeve dhe të marrëveshjes.

Në shkresën zyrtare të siguruar nga TV KLAN, thuhet se në disa raste shoqëria koncesionare nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion financiar për investimet, që në disa raste kanë qenë në vlerë më të ulët se sa ishin parashikuar nga marrëveshja.

Në shkresën për zgjidhjen e njëanshme të koncesionit thuhet gjithashtu se, firma “KURUM” nuk ka filluar punën për prodhimin e ferro-kromit në fabrikën e Kalimashit dhe atë të Golajt si dhe rezulton po ashtu se koncesionari ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve kontraktuake pavarësisht afatit të gjatë të lënë në dispozicion nga Ministria e Energjisë.

Konçesionari nuk ka kryer pagesën e detyrimeve për tarifën vjetore duke mbartur në tre vjet një detyrim ndaj shtetit në vlerën e 303 mijë eurove. Sipas dokumentit, Kurum ka kryer edhe disa shkelje të tjera të cilat bien ndesh me marrëveshjen me MEI.

Për shkeljet e konstatuara, Ministria e Energjisë dhe Industrisë vendosi që ti heqë koncesionin kompanisë turke KURUM dhe ortakut të saj dhe rikthimin e këtyre pasurive në pronësi të shtetit./ TV KLAN