Kosova është drejt përmbylljes së numërimit të votave për zgjedhjet e së dielës. Rezultatet nuk pritet të pësojnë ndonjë ndryshim të madh, pasi kanë mbetur vetëm tre kuti.

Megjithatë, sipas rezultateve të deritanishme, koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma pritet të marrë 39 mandate, bazuar në 34% të votave të përgjithshme.

Tetë deputetë më pak se koalicioni i “Krahut të luftës” pritet të marrë lëvizja “Vetëvendosja”, e cila garoi e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit dhe kryesoi si forcë e parë. Me mbi 27% të votave, Vetëvendosja pritet të konfirmojë 31 mandate në parlamentin e ardhshëm.

Ndërsa LDK-AKR, të renditur të tretët, me 25,7 % të votave, do të zenë 30 vende në Kuvendin e Kosovës.

Krahasuar  me zgjedhjet e vitit 2014, rezultatet e 11 qershorit  përkthehen në humbje për dy koalicionet e mëdha dhe dyfishim votash për lëvizjen Vetëvendosja.

Megjithatë, këto zgjedhje prodhuan një ngërç politik në Kosovë, pasi të gjitha forcat janë larg mundësisë për të formuar shumicën të vetme. Koalicioni LDK-AKR përjashtoi mundësinë e një bashkimi me PDK-në, por nuk i ka mbyllur derën një marrëveshjeje me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

Pavarësisht udhëkryqit që ka sjellë rezultati i zgjedhjeve, pretendenti për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, nuk sheh vështirësi në formimin e qeverisë. Ai thotë se gjithçka do ë kryhet në përputhje me detyrimet kushtetuese.

Tv Klan