Presidenti Hashim Thaçi ka thirrur në takim të gjithë liderët e partive politike për ta diskutuar datën e seancës konstituive.

Takimi do të mbahet nesër, por duket se aty do të jenë vetëm liderët e koalicionit PAN, Kadri Veseli dhe i nomoniuari për kryeministër Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.

Kështu së paku ka thënë nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi.

“Mundem ta konfirmoj se ne si PDK do marrim pjesë në takimin e thirrur nga Presidenti”, ka thënë ai.

Por njëjtë nuk do të veprojnë Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i LDK-së dhe kryeministri në largim, Isa Mustafa ka thënë se këto takime janë të panevojshme.

“Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, tha Mustafa.

Ngjashëm është shprehur edhe Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes.

“Presidenti i vendit bën mirë që të thërrasë seancë konstituive dhe jo takime të tillë të cilat janë të panevojshme. Vetëvendosje e ka shqyrtuar ftesën e Presidentit dhe nuk do të marrim pjesë në këtë takim”, tha Haxhiu.

Ndryshe, takimi konsultativ i thirrur nga Presidenti, Hashim Thaçi, do të mbahet nesër orën 10:00, në Kuvendin e Kosovës.

/Klan Kosova