Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës ka publikuar raportin për gjendjen e burgjeve shqiptare. Në shumicën e objekteve të paraburgimit në Drejtorinë Rajonale Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë kushtet ishin në tërësi të pranueshme. Situatë kritike është konstatuar nga vëzhguesit evropianë në Komisariatet e Policisë Nr.1 dhe 3 në Tiranë dhe në Sarandë.

Strasburgu ka shprehur shqetësimin që pavarësisht rekomandimeve të mëparshme, pacientët psikiatrikë vazhdojnë të mbahen në kushte çnjerëzore në burgun e Krujës dhe Spitalin e Burgjeve në Tiranë

Këto spitale burg janë të mbipopulluar, me pacientë të detyruar që të flenë në dyshekë përtokë në dysheme, ka mungesa totale të ngrohjes dhe qasje të kufizuar në ujë të nxehtë. Përveç kësaj, niveli i kujdesit psikiatrik me specialistë të fushës ka rezultuar i pamjaftueshëm.

Në reagimin e tyre ndaj raportit të Këshillit të Evropës, autoritetet shqiptare kanë deklaruar se janë pritje të ndërtimit të një institucioni të ri mjeko-ligjor psikiatrik.

Klan Plus