Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e ankimimit të bërë në fund të muajit Dhjetor nga Partia Demokratike për ligjin e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, që parashikon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Demokratët kërkojnë shfuqizimin e disa dispozitave ligjore si të papajtueshme me Kushtetutën, mes të cilave edhe atë për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të dy institucioneve.

Sipas opozitës, formula e përzgjedhjes së 10 anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë në këto dy institucione është antikushtetuese, pasi në ligjin themeltar të shtetit parashikohet kandidim i lirë. Ndërsa në ligj kandidatët filtrohen nga një komision Ad Hoc, i cili nuk është i përcaktuar në Kushtetutë.

Për përfaqësuesen e Kuvendit, Vasilika Hysi thotë se kjo është thjesht një manovër e opozitës për të bllokuar Reformën në Drejtësi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë organet që do të emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, institucion ky plotësisht i pavarur, i ngarkuar për hetimin e korrupsionit tek zyrtarët e lartë. Në Gjykatën Kushtetuese, opozita dërgoi edhe ligjin e Vetting -ut, por kërkesa e saj u rrëzua.

Tv Klan