KushtetuesjaGjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e dhënë mbi ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të miratuar nga mazhoranca në seancën e 31 korrikut të vitit të shkuar. Në vendimin që i është dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kushtetuesja argumenton se përse vendosi që ta shpallë antikushetues nenin 4 që parashikon shkarkimin e anëtarit të Këshillit. Sipas saj, shkaqet për shkarkimin e anëtarëve të KLD –së janë të paqarta dhe nuk garantojnë proces të rregullt ligjor.

“Në përfundim, Gjykata vlerëson se shkaqet e parashikuara në nenin 4 të ligjit për shkarkimin e anëtarëve të KLD-së nuk janë të qarta dhe nuk garantojnë procesin e rregullt ligjor gjatë procedurës për shkarkimin e tyre. Në këto kushte, kjo dispozitë nuk është në pajtim me parimin e sigurisë juridike, përsa i takon qartësisë së normës juridike në përmbajtje, dhe si e tillë është antikushtetuese dhe duhet shfuqizuar”.

Neni 4, sqaron Gjykata Kushtetuese, është evaziv dhe i përgjithshëm. Ai parashikon si shkaqe për shkarkimin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të njëjtat shkaqe që janë listuar në nenin 7 si arsye të mbarimit të mandatit, ndaj Gjykata vlerëson se rastet e mbarimit të mandateve dhe ato të shkarkimit duhet të jenë të dallueshme nga njëra – tjetra. Me këtë nen mazhoranca shkarkoi me votat në parlament dy anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të emëruar nga Parlamenti, Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve dhe eksperti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi thotë se me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, Çefa e Lelçaj duhet të kthehen në detyrë. Ai i referohet në këtë rast ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimin e Parlamentit, Çefa dhe Lelçaj e kanë dërguar në Gjykatën Administrative dhe çështja është ende në gjykim.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzon nenin me të cilin ata u shkarkuan merr fuqi ligjore pasi të botohet në Fletoren Zyrtare. Qendra e Botimeve duhet ta publikojë atë 15 dite nga data e dërgimit nga Gjykata. Vendimin e zbardhur Gjykata Kushtetuese ia ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësise, dy ditë më parë, më 24 prill.

Nuk dihet nëse njëkohësisht e ka nisur edhe në Qendrën e Botimeve Zyrtare. Por ai nuk është botuar as në faqen e Gjykatës. Nenkryetari i Komisionit të Ligjeve thotë se mazhoranca duket se është në dijeni të faktit se vendimi është zbardhur dhe se po kërkon me çdo kusht që nënkryetari i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të emërohet nga Presidenti i Republikës përpara se vendimi i Gjykatës Kushetuese të botohet në Fletoren Zyrtare, për të mos i dhënë mundësi Elvis Çefës që të kthehet në detyrë.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i kërkoi Presidentit të Republikës qe ta fuse ne rend te dites ne mbledhjen e radhes se KLD –se emerimin e nenkryetarit. Pas shkarkimit te Elvis Çefes dhe Lulzim Lelçaj-t ne tetor te vitit te shkuar, mazhoranca votoi Albana Shtyllen dhe Vangjel Kosten si anetar te KLD –se. Mes tyre, me ligjin e ri, duhet te zgjidhej edhe nenkryetari i Keshillit te Larte te Drejtesise. Por vendimi i Kushtetueses duket se do te hape nje beteje tjeter mes mazhorances, opozites dhe Keshillit te Larte te Drejtesise, qe e ka kundërshtuar gjithashtu shkarkimin e dy anëtarëve të tij.

Tv Klan