Me shumë paqartësi rreth krijimit të shumicës parlamentare, përbërja e re e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet në seancën konstituive më 3 gusht.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës tashmë të shpërndarë, ka mbajtur mbledhjen me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare.

Pas mbledhjes, kryetari i përbërjes së kaluar të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se që nga data 26 korrik do të nis regjistrimi i deputetëve të përbërjes së re të Kuvendit,

“Shpresoj që kjo legjislaturë e re, e gjashta – përgëzoj të gjithë deputetët e zgjedhur – do të jetë shumë më efikase sesa ajo që e kemi pasur në legjislaturën e pestë. Do ta shfrytëzoja edhe këtë moment, që të them se gjatë atyre tri ditëve, 26, 27 dhe 28 (korrik) të regjistrohen të gjithë deputetët e legjislaturës së gjashtë, për arsye se është procedurë standarde, e cila duhet të përfundojë”.

Veseli ka theksuar se më 3 gusht do të mbahet seanca e konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit.

“Më datën 3 gusht do të kemi seancën konstituive të Kuvendit. Në të njëjtën kohë do të kemi edhe hapat, të ndërmerren edhe për kandidaturën, propozimet për kandidat për kryetar të Kuvendit, i cili domosdo edhe në bazë të Kushtetutës, do të jetë nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga koalicioni PAN. Në të njëjtën kohë do të procedojmë. Për vendimmarrjen do t’ju njoftojmë”.

Por, Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka mundur të bëhet më herët se sa më 3 gusht dhe sipas saj, panevojshëm është humbur kohë. Sipas saj, më 3 gusht do të shihet nëse koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, i ka numrat për formimin e Qeverisë së re.

“Tashmë po bëhen gati 2 muaj nga dita e zgjedhjeve dhe në vend se të mbahet mbledhja konstituive, gjatë kësaj periudhe PAN-i është marrë me spekulime se i kanë numrat. Prandaj, 3 gushti do të jetë dita kur do ta kenë mundësinë që të na e dëshmojnë nëse i kanë numrat apo jo”.

Dërguti gjithashtu ka lënë të kuptohet se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, të cilin do ta propozojë koalicioni PAN.

“Nuk do të duhej të ishte befasi, sepse ne as herën e kaluar nuk e kemi votuar kryetarin e Kuvendit. Nuk do të duhej të ishte kjo pyetje për Vetëvendosjen se çfarë do të veprojë për votimin e kryetarit, sepse ne as herën e kaluar nuk e kemi votuar Kadri Veselin”.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, do të hapë rrugën që Presidenti i vendit t’i jap mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër, që ta krijojë Qeverinë e re dhe në këtë rast, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, kandidatit të koalicionit PAN-it, Ramush Haradinaj./REL