Pas tensionit të javës së kaluar, kur deputetët e PD-së bllokuan për orë të tëra foltoren e kuvendit, edhe seanca e kësaj të enjteje ka nisur me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Debati nisi pasi Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, tha se përfshirja në rendin e ditës të projektligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë nuk përmbush kriteret ligjore për të qenë sot në renin e ditës.

Deputeti i PS-së, Ulsi Manja tha se raporti së bashku me projektligjin është dorëzuar në sekretarinë e Kuvendit ditën e martë dhe se gjithçka është konform ligjit.

Por, Kryetari i PDs-së, Lulzim Basha i kujtoi kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, seancën e javës së kaluar dhe i bëri thirrje “të mos i vërë kazmën Parlamentit”.

Detyra jote është të zbatosh rregulloren. Deputeti (Dule) kërkoi zbatimin e rregullores

,

ti nuk mund ta ndryshosh rregulloren me votë. Mësoje këtë, nuk e ke këtë pushtet, s’ta ka dhënë njeri këtë. As nuk mund ta marrësh, nuk mund ta uzurposh, zbatoje rregulloren! Mos i vër kazmën punimeve të parlamentit si javën e kaluar. Ndoshta e ke porosi si javën e kaluar, se s’doni të përballeni, por po të them edhe një herë mos i vër kazmën parlamentit, zbato rregulloren! Rregullorja ka disa parashikime se si veprohet për futjen e ligjeve në parlament.

Basha tha se mazhoranca po përpiqej të shmangte vëmendjen nga çështjet e rëndësishme me anë të trukeve për të shtyrë debatet.

Marr mundimin të ta them këtë për dy arsye, e para sepse nuk dua që seanca e sotme të degjenerojë si seanca e kaluar për shkak të ndërhyrjes tënde. Dhe e dyta për t’i vënë fre një përpjekjeje sistematike për të devijuar çështje të rëndësishme të aktualitetit me anë të këtyre trukeve.

/tvklan.al