Pas suksesit në Golden Globe, me shtatë trofe, “La La Land”,  merr më shumë nominime edhe në Bafta, Akademia Britanike e Filmit, 11 të tilla. Prodhimi me regji dhe skenar të Damien Chazelle, mes çmimeve më të rëndësishme do të konkurrojë në mbrëmjen e 12 Shkurtit që mbahet në “Royal Albert Hall” të Londrës, për filmin, regjinë, skenarin, aktorin dhe aktoren më të mirë. Në vendin e dytë dhe të tretë, përkatësisht më nëntë nominime për secilin janë “Arrival” dhe “Nocturnal Animals”.

Në këtë edicion të çmimeve “Bafta”, është e nominuar edhe Meryl Streep, për aktoren më të mirë në filmin “Florence Foster Jenkins” dhe që në mbrëmjen e së dielës ishte titulli kryesor në media pas kritikave në adresë të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ky është kandidimi i 15 për aktoren më të respektuar të gjeneratës së saj, duke u barazuar kështu me Judi Dench, që deri dje mbante rekordin e aktores më shumë të nominuar për çmimet “Bafta”.

Deri tani parashikimet tregojnë për një tjetër dominim të “La La Land”. Kritikët flasin për fitoren e të paktën pesë trofeve, që do të kurorëzojnë Damien Chazelle si regjisorin dhe skenaristin më të mirë.

Tv Klan