Luiza Gega pritet të zhvillojë nesër garën kualifikuese në 3000 metra, me pengesa në lojërat olimpike. Atletja shqiptare gjatë këtyre ditëve ka patur probleme me tendinën, por gjithsesi situata është në vëzhgimin e mjekëve.

Trajneri i saj Taulant Stërmasi tha për Televizionin Klan se nuk është e sigurt nëse ky problem do të pengojë gjatë zhvillimit të garës, por nëse kjo ndodh përpjekjet e nënkampiones së Europës do të shkojnë dëm.

Gjendja sipas Stërmasit mund të rëndohet gjatë kalimit të pengesave. Synimi i Luiza Gegës është kualifikimi në finalen e kësaj gare ku konkurrenca është e madhe dhe marrin pjesë 56 atlete.

Bateritë kualifikuese nisin prej orës 15:05 me kohën shqiptare. Më herët radhën e ka Izmir Smajlaj. Ai do të marrë pjesë në kërcim së gjati dhe do të nisë garën në orën 02:20 pas mesnatës.

Rezultati më i mirë i tij është 8 metra e 3 centimetra, ndërsa më tej shkojnë ata të cilët arrijnë 8 metra e 15 centimetra ose 12 atletët me rezultatin më të mirë. Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj janë dy sportistët e fundit, të cilët përfaqësojnë Shqipërinë në Rio 2016. /TV KLAN