Selim Muça, ish- kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka ndërruar jetë gjatë orëve të para të ditës së sotme.

 

Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tiranë, në moshën 80 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, prej së cilës vuante prej kohësh.

Haxhi Selim Muça, do të mbahet mend si drejtuesi që e reformoi KMSH dhe punoi shumë për bashkësinë islame shqiptare.

Ai ndërmori hapa konkretë për institucionalizimin e punës së KMSH në mbarë vendin dhe për gjallërimin e jetës shpirtërore të besimtarëve muslimanë.

Gjithashtu ai do të kujtohet e vlerësohet për frymën e tij përherë pozitive dhe prioritetin që i jepte dialogut, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe të gjitha hapsirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan.

Haxhi Selim Muça e drejtoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për dhjetë vite (2004-2014) dhe me gjithë pengesat e moshës dhe të shëndetit, ai punoi dhe u angazhua deri ditën e fundit në mbështetje punës së KMSH. /tvklan.al