Konfederata e Industrive të Shqipërisë thotë se vendimi i njoftuar se fundmi nga Qeveria, për të mos rinovuar marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar të tipit detyrues dhe kushtëzues, por thjesht një marrëveshje që i jep FMN rol monitorues dhe këshillues ka si shkak kryesor vitin zgjedhor 2017 dhe performancën e dobët ekonomike financiare të deritanishme.

Duke qenë se viti 2017, është vit zgjedhor, sipas Konfindustrias, qeveria duke mos rinovuar marrëveshjen kushtëzuese me FMN, shmang mospajtimet lidhur me politikat fiskale dhe buxhetore të vitit elektoral.

Duke komentuar në emër të bizneseve që janë anëtare pranë saj, Konfindustria thotë se marrëveshja 3 vjeçare me FMN ka dhënë rezultate të dobëta ne ekonomi dhe në këto rezultate sipas Konfindustrias ka përgjegjësi edhe Fondi Monetar.

Në analizën e bërë nga Konfederata e Industrive thuhet se Shqipëria sot ka një borxh publik në nivelet 72-73%, me rritje prej pothuaj me 10% nga koha e para marrëveshjes me FMN.

Po ashtu rritja ekonomike vjetore mesatare në tre vitet e marrëveshjes me FMN nuk i ka kaluar 2.5 % të PBB. Marrëveshja 3 vjeçare me FMN , që pati rol vendimmarrës në politikat buxhetore të vendit, përfundon në shkurt të vitit 2017./ TV KLAN