Rama-Celibashi-Felaj

Ermonela Felaj do të jetë Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, pas dorëheqjes së Ilirjan Celibashit nga kjo detyrë. Lajmin e bëri të ditur Kryeminstri Rama në një konferencë për shtyp, i cili tha se dorëheqja e Celibashit bëhet për arsye personale. Pavarësisht tërheqjes nga kjo detyrë kreu i qeverisë  e ftoi  Celibashin të japë kontributin e tij brenda familjes së Partisë Socialiste.

Gjatë konferencës për shtyp Kryeminsitri Rama  vlerësoi miratimin e reformës territoriale duke mos e fshehur kënaqësinë  që mazhorancës në votim i’ua bashkuan dhe 5 deputetët e opozitës, të Partisë për Drejtësi  Integrim dhe Unitet.

Edi Rama: “Reforma është votuar pa votat e PD po jo pa vottat e opozitës, sepse PD pa asnjë dyshim  është opozita më e madhe e vendit por nuk është në zotërim të monopolit të opozitës. Dje me reformën janë bashkuar edhe përfaqësues të partisë së dytë më të madhe të opozitës që i falenderoj për qasjen konstruktive ndaj një procesi që kam keqardhjen më të plotë për PD. Procesi u kurorëzua me një sukses të plotë vetëm dje në sesionin e fundit, jo sepse nuk e bënim dot më parë, por sepse pritëm deri në sekondën e fundit PD. Pritja jonë ka kufi, objektivat tanë. Ne do bëjmë gjithçka në rrugën drejt objektitvit për të dëgjuar por ne do udhëheqim”.

Edhe pse fuqinë e mazhorancës Kryeministri nuk e sheh tek numrat, por tek votat e qytetarëve shqiptarë më 23 Qershor, keqardhjen për daljen nga koalicioni të mikut të tij, siç e quan ai Vangjel Dulen nuk e fsheh.

 Edi Rama: “Vangjel Dulen unë nuk e kam bërë mik në koalicion qeverisës e kam pas mik më parë dhe do ta kem mik pavarësisht se në çfarë koalicioni do të jetë. Do të isha i keqardhur nëse një reformë historike  me të cilën duhet të ndihet mirë çdo shtetas shqiptar, jo vetëm me kombësi shqiptare por dhe shtetasit shqiptarë me kombësi greke të ishte sebep për tu larguar nga koalicioni sepse do ishte në rastin më të mirë mungesë objektiviteti në vlerësimin e një reforme që do të ndryshojë përgjithmonë Shqipërinë”.

Kur e pyesin për rrebelët  në parti, të cilët seancën plenare të një javë më parë bojkotuan votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar kryeministri jep këtë përgjigje.

 Edi Rama: “Kjo është ABC-ja e ABC-së, por jo ABC-ja e mënyrës se si funskionon grupi parlamentar i PS, si funksionon qeveria apo si funksionoj unë. Nuk ka pasur asnjë negocim me askënd dhe të gjithë deputetët kanë bërë detyrën e tyre”.

Shprehet i vendosur për ta çuar përpara reformën në drejtësi edhe pas thirrjes së Ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, i cili pak ditë më parë e ftoi qeverinë që këtë reformë , përfshi edhe ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtëssië, i votuar në seancën e djeshme duhet të jenë të  mirëkonsultuara me të gjithë aktorët dhe se nuk mund të bëhet brenda një nate.

 Edi Rama: “Kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur dhe me të njëjtën vendosmëri do të shkojmë përpara sepse nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se ne jemi votuar për të transformuar rrënjësisht Shqipërinë dhe kur të dalim të japim llogari për mandatin e 23 Qershorit përpara popullit që zgjedh, nuk kemi asnjë alibi dhe asnjë mundësi që të justifikohemi apo të fshihemi prapa kujdo tjetër”.

 Interesit të medias për ndryshime të reja në kabinetin qeveritar Kryeministri Rama iu përgjigj duke thënë se në këto 300 ditë nuk ka menduar për një reformatim të mundshëm.

Tv Klan