Gjykata për Krimet e Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të 11 lazaratasve, të cilat akuzohen për vrasjen e efektivit te RENEA-s Ibrahim Basha dhe plagosjen e dy të tjerëve qershorin e vitit 2015.

Në këtë mënyrë të 5 pandehurit që akuzohen për vrasje i shpëtojnë dënimit me burgim të përjetshëm dhe dënimi maksimal për ta mbetet ai me 35 vite burg. 6 personat e tjerë akuzohen për kundërshtim të forcave të policisë dhe armëmbajtje pa leje.

Prokurori lexoi dhe kërkesën për gjykim ku renditi të gjithë kronologjinë e ngjarjes dhe motivin e saj. Përfaqësuesi i akuzës theksoi se policia ka qenë në operacion në Lazarat për vendosjen e rendit, ndërsa nga hetimi është faktuar se 11 të rinjtë kishin bërë një plan për të sulmuar policinë për të rikthyer në fshat gjendjen e mëparshme, për të mbjellë dhe kultivuar kanabis.

Ky sulm ishte organizuar nga dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko të cilët dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të policit Basha.

Personat e tjerë do të qëllonin mbi blutë nga pika të tjera duke zënë në befasi efektivet e RENEA-s dhe policisë lokale./ TV KLAN